30 TETOR 2020
INDI
Prezantohet Përkthimi Bota e Re në tri gjuhë indiane
Të dielën më 25 tetor 2020, u prezantuan Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në tri gjuhë indiane: gujarate, kanade dhe punjabe. Biblat u prezantuan në format elektronik gjatë një fjalimi të regjistruar paraprakisht. Lajmëtarët e ndoqën programin nga shtëpitë e tyre dhe iu dha mundësia ta shkarkonin Biblën në gjuhën amtare menjëherë pas programit.
Gujarate
Këtë gjuhë e flasin mesatarisht 61 milionë veta në mbarë botën.
Për përkthimin e Biblës punuan për shtatë vjet dy skuadra me gjashtë përkthyes. Një nga përkthyeset u shpreh: «Jemi shumë të lumtur për këtë përkthim të ri. Ka një gjuhë aq të thjeshtë sa mund ta kuptojë edhe një fëmijë i vogël.»
Një përkthyese tjetër tha: «Emri i Jehovait është rivendosur në këtë Bibël në çdo varg që gjendet edhe në tekstin origjinal. Jemi të sigurt se besimi i vëllezërve dhe i motrave do të forcohet teksa përdorin këtë Bibël gjatë studimit personal.»
Jemi të bindur se ky përkthim që kuptohet lehtë do të ndikojë fuqishëm te mendja e lexuesve dhe do të ndihmojë «zemërbutët» të mësojnë udhët e Jehovait.—Psalmi 25:9.
Kanade
Forma e shkruar e gjuhës kanade ndryshon jashtëzakonisht nga forma e saj e folur. Gjuha e folur ndryshon nga njëra zonë në tjetrën. Prandaj një nga vështirësitë më të mëdha për përkthyesit ishte të përdornin fjalë të thjeshta e të natyrshme, dhe në të njëjtën kohë të përcillnin me saktësi mesazhin e Biblës për të gjitha këto zona.
Për këtë projekt punuan dhjetë përkthyes për më shumë se shtatë vjet. Një nga përkthyeset komentoi: «Për shkak të pandemisë COVID-19, mendova se Bibla nuk do të prezantohej para vitit 2021. Por fakti që doli, tregon se asgjë nuk mund ta pengojë veprën e Jehovait.»
Një përkthyes tjetër shton: «Mbushem me gëzim kur mendoj se tani njerëzit që flasin gjuhën kanade do të kenë mundësi ta lexojnë Fjalën e Jehovait në gjuhën e tyre me një përkthim të natyrshëm dhe do të gjejnë emrin e tij në të gjitha vargjet ku i takon të jetë!»
Pa pikë dyshimi, ky përkthim i Biblës do të ndihmojë më shumë se 2.800 lajmëtarët që flasin gjuhën kanade në territorin e degës së Indisë. Do të jetë gjithashtu një mjet i fuqishëm për të ndihmuar afro 46 milionë njerëzit që flasin këtë gjuhë anekënd botës që të kuptojnë ‘thellësinë e bujarisë, të mençurisë dhe të njohurisë së Perëndisë».—Romakëve 11:33.
Punjabe
Për Përkthimin Bota e Re në gjuhën punjabe ka punuar një skuadër me gjashtë përkthyes për 12 vjet. Nga ky përkthim do të nxjerrin dobi mbi 100 milionë veta që flasin këtë gjuhë në nënkontinentin indian dhe përreth botës.
Një nga përkthyeset shpjegon: «Bëmë gjithçka mundëm me ato pak mjete ndihmëse që kishim në dispozicion. Dukej qartë se pas gjithë këtij projekti ishte dora e Jehovait. Bibla do të forcojë besimin e vëllezërve tanë, do të qetësojë ankthin në zemrat e tyre dhe do t’i ndihmojë të përballojnë më mirë sprovat që na presin.»
Një përkthyes tjetër thotë: «Njerëzit me zemër të sinqertë do të kënaqen duke lexuar këtë Bibël, sidomos librat poetikë. Do të përfitojnë shumë nga të gjitha veçoritë për të bërë kërkime në këtë përkthim.»
Bashkë me vëllezërit tanë, i shprehim mirënjohje Jehovait për të gjitha ‘veprat e mrekullueshme’ që ka bërë e që janë ‘ku e ku më tepër nga sa mund të numërojmë’.—Psalmi 40:5.