Kalo te përmbajtja

INDI

Përmbledhje për Indinë

Përmbledhje për Indinë

Dëshmitarët e Jehovait kanë nisur veprën e tyre në Indi që në vitin 1905. Më 1926 hapën një zyrë në Bombei (tani Mumbai) dhe më 1978 u regjistruan ligjërisht. Dëshmitarët nxjerrin dobi nga çfarë garanton kushtetuta e Indisë, ku përfshihet e drejta e çdokujt për të praktikuar, shprehur dhe përhapur besimin. Fitorja e tyre ligjore në Gjykatën Supreme të Indisë, në çështjen historike Bijoe Emmanuel kundër shtetit të Keralës, u ka kontribuar lirive kushtetuese të çdo shtetasi. Në përgjithësi, Dëshmitarët në Indi janë të lirë të praktikojnë besimin e tyre. Mirëpo, në disa shtete, kanë qenë viktima të sulmeve të turmave dhe të veprimeve të tjera të intolerancës fetare.

Më 1977, Gjykata Supreme bëri dallimin mes përhapjes së besimit fetar dhe konvertimit ose ndryshimit të fesë me forcë. Ajo u shpreh se askush nuk ka të drejtë t’i konvertojë fenë dikujt dhe se ligjet antikonvertim, të miratuara nga shtete të tjera, ishin të vlefshme. Kur turmat që sulmojnë Dëshmitarët ballafaqohen me policinë, shpesh u referohen fjalëve të gjykatës dhe pohojnë në mënyrë të rremë se i kanë zënë në befasi Dëshmitarët duke u konvertuar fenë të tjerëve. Ndërsa në shtetet ku s’ka ligje antikonvertim, kundërshtarët i akuzojnë Dëshmitarët për blasfemi, duke keqzbatuar ligjin që ekziston që nga koha e kolonisë për veprën e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Si pasojë, që nga viti 2002 Dëshmitarët kanë qenë shënjestër e 150 sulmeve të dhunshme të turmave. Autoritetet vendore shpesh e keqësojnë situatën, sepse nuk u sigurojnë viktimave mbrojtjen e duhur dhe as i ndjekin penalisht fajtorët.

Dëshmitarët e Jehovait në Indi vazhdojnë të takojnë qeveritarë dhe t’u drejtohen gjykatave, që të mbrojnë të drejtën për të praktikuar lirisht besimin e tyre. Ata kanë besim se autoritetet vendore dhe individë të veçantë do të respektojnë deklaratën e Gjykatës Supreme në çështjen Bijoe: «Tradita jonë mëson tolerancën; filozofia jonë predikon tolerancën; kushtetuta jonë praktikon tolerancën; të mos e zbehim.» Dëshmitarët shpresojnë se përpjekjet e tyre do t’u japin fund sulmeve të turmave dhe do të promovojnë tolerancën fetare.