Kalo te përmbajtja

17 GUSHT 2018
INDI

Rrëshqitje dheu vdekjeprurëse në Indinë Jugperëndimore

Rrëshqitje dheu vdekjeprurëse në Indinë Jugperëndimore

Shira të rrëmbyera musonike në Keralë, Indi, kanë shkaktuar rreth 25 rrëshqitje dheu, që kanë sjellë vdekjen e të paktën 75 njerëzve. Sipas Stacionit Meteorologjik të Indisë, sezoni i tanishëm i musoneve ka sjellë disa nga shirat më të rrëmbyera në historinë e zonës.

Ndiejmë keqardhje që zyra e degës në Indi na njoftoi që, për shkak të rrëshqitjeve të dheut, një çift Dëshmitarësh te të 60-at dhe një student i Biblës kanë humbur jetën, kurse 2 studentë të tjerë të Biblës kanë pësuar dëme serioze dhe po e marrin veten në spital. Veç kësaj, një vëlla 17-vjeçar është mbytur në përpjekje për të shpëtuar fqinjin e tij.

Është ngritur një Komitet i Ndihmës në Rast Katastrofash që të vlerësojë dëmet dhe të organizojë punën për dhënien e ndihmës. Vëllezërit po përdorin disa Salla Mbretërie si qendra për të organizuar punën. Raportet paraprake tregojnë që janë dëmtuar ose shkatërruar të paktën 46 shtëpi të vëllezërve. Rreth 85 familje (475 lajmëtarë) po jetojnë përkohësisht në shtëpitë e Dëshmitarëve ose të të afërmve. Gjithashtu është raportuar që disa Salla Mbretërie janë pjesërisht të përmbytura. Komiteti i Ndihmës në Rast Katastrofash është në gjendje gatishmërie, pasi janë parashikuar shira të rrëmbyera edhe për ditët në vijim.

Përfaqësues të zyrës së degës, bashkë me një mbikëqyrës qarkor vendës dhe me pleqtë e kongregacioneve, i kanë vizituar vëllezërit e motrat për t’u dhënë ngushëllim dhe inkurajim nga Shkrimet.

I mbajmë në mendje dhe lutemi për ata që janë prekur nga këto shira shkatërrimtare. Presim me padurim kohën kur të gjitha katastrofat natyrore dhe plagët që hapin, të marrin fund.—Zbulesa 21:3, 4.