24 QERSHOR 2021
INDONEZI
Ndihmat humanitare në Indonezi forcojnë dashurinë mes vëllezërve dhe japin dëshmi të shkëlqyer
Më 4 prill 2021, cikloni Seroja shkaktoi dëme të mëdha në Indonezi. Falë ndihmës që dha organizata jonë, shtëpitë e vëllezërve u riparuan dhe lidhjet e dashurisë mes tyre u forcuan. Gjithashtu, kjo i nxiti të tjerët t’i jepnin lavdi Jehovait.
Motër Ela Ludjipau është nënë e vetme. Shtëpia e saj e dëmtuar u riparua nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK). Ajo thotë: «Edhe pse jetoj vetëm me fëmijët e mi, nuk jam ndier kurrë e harruar, sepse motrat e vëllezërit më kanë mbështetur gjithmonë.» Një motër tjetër, Juliana Baunseli, shprehet: «Kur pashë që vëllezërit erdhën aq shpejt pas katastrofës për të më ndihmuar, u binda më shumë se kurrë që Jehovai kujdeset vërtet për mua.»
Vëlla Diki Thome, pjesëtar i KNRK-së, thotë: «Është fantastike të shohësh si u gjendet pranë Jehovai vëllezërve e motrave që kanë nevojë. Morëm zemër kur pamë sa mirënjohës ishin vëllezërit për ndihmën që u dhamë. Besimi na u forcua tek shihnim sigurinë e tyre se Jehovai do t’i mbronte dhe do t’i ndihmonte.»
Vëllezërit dhe motrat nuk ishin të vetmit që dalluan këtë dashuri në veprim. Vëlla Marsel Banunaeku dhe familja e tij jetojnë në një zonë ku ka përçarje fisnore. Fqinjët e tij i kundërshtonin Dëshmitarët e Jehovait. Mirëpo, siç tregon Marseli, kur panë vëllezër e motra nga fise të ndryshme tek ofronin ndihmë për familjen e tij, disa fqinj i thanë: «Dëshmitarët e Jehovait janë shumë ndryshe nga ç’kemi dëgjuar.» Vëlla Banunaeku shpjegon: «Fqinjët u mrekulluan kur panë dashurinë dhe unitetin tonë. Veç kësaj, të afërmit tanë panë me sytë e tyre sa të mirë janë vëllezërit e motrat. Tani na bëjnë pyetje rreth bindjeve tona. Zemra na gufon nga mirënjohja për vëllazërinë!»
Një zyrtare vendëse, znj. Josa Duli Otu, u shpreh se mënyra si ka punuar KNRK-ja dhe si i ka respektuar me aq kujdes masat parandaluese kundër COVID-19 ishte «shembullore». Duke iu referuar KNRK-së, ajo tha: «Më ka lënë pa fjalë ajo që keni bërë për miqtë tuaj. Ishit syçelë dhe vepruat menjëherë kur u ra kjo katastrofë. Jeni shumë të organizuar kur bie një katastrofë dhe plotësisht të pajisur për punë.»
Katastrofat mund të dëmtojnë prona, por nuk e shkatërrojnë dot dashurinë dhe unitetin e vëllazërisë sonë. Sa na ngrohet zemra kur shohim që ‘veprat e shkëlqyera’ forcojnë dashurinë mes nesh dhe i nxitin të tjerët «t’i japin lavdi» Jehovait!—Mateu 5:16.