6 QERSHOR 2022
INDONEZI
Prezantohet libri i Mateut dhe i Markut në gjuhën indoneziane të shenjave
Më 29 maj 2022, vëlla Daniel Purnomo, anëtar i Komitetit të Degës në Indonezi, prezantoi 2 libra të Biblës, librin e Mateut dhe të Markut, në gjuhën indoneziane të shenjave. Këta dy libra u prezantuan në format dixhital gjatë një programi të regjistruar paraprakisht, i cili i transmetua nëpërmjet streaming për një auditor me 2.127 veta.
Dëshmitarët e Jehovait formuan kongregacionin e parë të gjuhës së shenjave në Indonezi më 14 shtator 2007, në qytetin e Jambit, në Sumatra. Pastaj më 2011, Dëshmitarët e Jehovait përkthyen 3 botime në gjuhën indoneziane të shenjave: A do të dish të vërtetën?, Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë dhe Ti mund të jesh miku i Perëndisë! Më 2011 u formua qarku i parë i gjuhës së shenjave në vend, i cili mbulonte rreth 3.000 kilometra. Në vitin 2015 u ngrit një Zyrë Rajonale Përkthimi që të plotësonte nevojat gjithnjë e në rritje për botime në gjuhën indoneziane të shenjave. Sot, në Indonezi, ka 12 kongregacione të gjuhës së shenjave dhe 28 grupe e paragrupe.
Libri i Mateut dhe i Markut janë librat e parë të Biblës që janë përkthyer në gjuhën indoneziane të shenjave. Gjatë fjalimit të prezantimit, vëlla Purnomo tha: «Cilësia e këtij përkthimi është e jashtëzakonshme. Shenjat që janë përdorur, janë shprehëse dhe plot emocione, ndaj do t’ju ndihmojnë t’i përfytyroni më qartë personazhet e Biblës.»
Një përkthyes u shpreh: «Ky përkthim do të më ndihmojë të mësoj më shumë për Jezuin, sikur të flisja sy më sy me të.»
Lutemi që ky përkthim i ri të ndihmojë ata që përdorin gjuhën indoneziane të shenjave, ta shohin Fjalën e Perëndisë si një ‘llambë për këmbët e tyre dhe si dritë për shtegun e tyre’.—Psalmi 119:105.