Kalo te përmbajtja

(Majtas) Pjesëtarët e një familjeje mbajnë në duar letra me fjalë inkurajuese dhe me vargje nga Bibla për vëllezërit e motrat në kongregacionin e tyre. (Lart djathtas) Një motër pioniere po drejton një studim me videokonferencë. (Poshtë djathtas) Një familje po ndjek mbledhjen me anë të videokonferencës

9 PRILL 2020
ITALI

Dëshmitarët në Itali mbajnë një lidhje të ngushtë me Jehovain gjatë pandemisë

Dëshmitarët në Itali mbajnë një lidhje të ngushtë me Jehovain gjatë pandemisë

Italia është një nga shtetet më të prekura nga pandemia e koronavirusit (COVID-19). Nën drejtimin e Trupit Udhëheqës, zyra e degës në Itali po u siguron vëllezërve e motrave mbështetje praktike dhe inkurajim nga Shkrimet.

Tri Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po kujdesen për vëllezërit në Italinë Veriore, Qendrore dhe Jugore. Këto komitete përditësohen mbi gjendjen e lajmëtarëve të prekur duke komunikuar shpesh me mbikëqyrësit qarkorë, të cilët marrin rregullisht informacione nga pleqtë vendës.

Përveçse nga ana praktike, pleqtë po i ndihmojnë lajmëtarët të vazhdojnë predikimin dhe të ndjekin mbledhjet. Vëlla Viliam Boseli, një mbikëqyrës qarkor që shërben afër Milanos, një nga qytetet e para të prekura nga pandemia, tregon: «Edhe pse të izoluar nëpër shtëpi, të gjithë vëllezërit e motrat komunikojnë me njëri-tjetrin. Gjithashtu, kanë mundësi të inkurajojnë njëri-tjetrin dhe të komentojnë në mbledhjet që mbajnë nëpërmjet videokonferencave. Edhe të moshuarit po nxjerrin shumë dobi nga këto mbledhje. Mendoj se tani kongregacionet janë më të lidhura se kurrë më parë!»

Veç kësaj, shumë të afërm të Dëshmitarëve po shohin mbledhjet bashkë me ta. Një motër thotë: «Burri im s’ka dashur kurrë të shkojë në mbledhje, por tani po vijnë mbledhjet tek ai . . . dhe po kënaqet jashtë mase!»

Vëllezërit e motrat po shfrytëzojnë çdo mundësi për të dhënë dëshmi. Për shembull, një motër po shkonte me makinë te shtëpia e një motre të moshuar për t’i çuar një karrige me rrota. Tre policë e ndaluan në një pikë kontrolli. Motra u tregoi lejen për të lëvizur dhe u shpjegoi se po ndihmonte një grua të moshuar. Pastaj u ofroi të treve nga një fletushkë Si do të jetë e ardhmja? dhe A do të kemi gjithmonë vuajtje? Policët i pranuan. Kur motra po kthehej, ata e ndaluan përsëri. Këtë herë e falënderuan dhe e pyetën për shpresën që jep Bibla. Madje ftuan edhe dy kolegë të tjerë që të dëgjonin bisedën. Me kënaqësi, ajo u tregoi sitin jw.org. Një nga policët i tha: «Faleminderit zonjë, na zbukurove ditën!»

Vëlla Boseli thotë: «Ndonëse një nga përgjegjësitë e mia është të inkurajoj e t’u jap zemër të tjerëve, më shumë jam inkurajuar unë nga motrat e vëllezërit që mbajnë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain dhe janë të vendosur ta adhurojnë. Dashuria që kanë për Jehovain është aq e thellë dhe e mrekullueshme, sa më mbushen sytë me lot. Janë vërtet një dhuratë e rrallë nga Jehovai, pa të cilët s’bëjmë dot!»

Është e qartë se, pavarësisht nga vështirësitë, vëllezërit tanë po mbajnë një lidhje të ngushtë me Jehovain dhe ‘nuk po i tremb ky shtrëngim’.—1 Selanikasve 3:2, 3.