Kalo te përmbajtja

Gjykata e Apelit në Romë

7 SHKURT 2020
ITALI

Gjykata e Apelit në Romë mbështet të drejtën e prindërve për të zgjedhur trajtimin mjekësor pa gjak për fëmijët e tyre

Gjykata e Apelit në Romë mbështet të drejtën e prindërve për të zgjedhur trajtimin mjekësor pa gjak për fëmijët e tyre

Më 17 dhjetor 2019 Gjykata e Apelit në Romë hodhi poshtë një vendim të gjykatës së të miturve në po atë qytet, që i hiqte të drejtat e prindit një motre ngaqë nuk pranoi t’i bënin transfuzion të birit. Gjykata e Apelit jo vetëm i ktheu të drejtën e kujdestarisë për fëmijën, por edhe e shfajësoi. Vendimi krijoi një precedent të rëndësishëm për të ardhmen, sepse i garanton prindërit Dëshmitarë që nuk do ta humbin kujdestarinë e fëmijëve ngaqë zgjedhin trajtim mjekësor pa gjak.

Çështja nisi kur një Dëshmitare dhe i biri 10-vjeçar bënë aksident me makinë. Fëmija u plagos dhe e çuan në spital. Pas tri ditësh mjekët morën masa që ta operonin. Motra jonë ishte dakord për operacionin dhe për çdo trajtim tjetër, por u shpjegoi se nuk ishte dakord që të përdornin transfuzion gjaku. Edhe pse ndërhyrja nuk ishte urgjente, spitali i dërgoi një kërkesë me shkrim prokurorit, që të hidhte poshtë vendimin e saj bazuar në bindjet fetare, me pretekstin se rrezikohej jeta e fëmijës. Prokurori e akuzoi se nuk po interesohej për të mirën e djalit dhe i kërkoi gjykatës së të miturve t’ia hiqte të drejtat si prind. Gjykata e të miturve e pranoi kërkesën, edhe pse sipas ligjit nuk i takonte të merrej me këtë çështje. Prandaj, motra e apeloi vendimin pranë Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit tha se ajo është nënë e kujdesshme dhe që interesohet për fëmijën e vet. Në vendim shpjegohej se «vetëm fakti që s’pranon transfuzion gjaku për shkak të bindjeve fetare, nuk tregon se nuk po kujdeset siç duhet për fëmijën». Gjykata i ktheu të drejtën e kujdestarisë dhe deklaroi se gjykata e të miturve kishte shkelur ligjin duke e ndarë nga i biri.

Nikola Kolaiani, ish-këshilltar në Gjykatën e Lartë dhe profesor i ligjit kishtar në Universitetin e Barit, komentoi: «Jam dakord me vendimin e Gjykatës së Apelit, por u zhgënjeva nga vendimi që mori gjykata e të miturve. Me sa duket, shumica e njerëzve nuk gëzon liri të vërtetë fetare dhe aq më pak Dëshmitarët e Jehovait.»

Vëlla Kristian di Blazio që punon për Zyrën Vendëse të Informacionit për Publikun në Itali, shpjegon: «Falënderojmë Gjykatën e Apelit në Romë që hodhi poshtë një vendim të nxitur nga paragjykimi fetar. Dëshmitarët e Jehovait interesohen thellësisht për fëmijët dhe u janë jashtë mase mirënjohës shumë mjekëve që sigurojnë trajtime mjekësore të shkëlqyera teksa respektojnë ndërgjegjen tonë të krishterë.»

Ky vendim gjyqësor e bën të qartë se vëllezërit e motrat kanë të drejtë të vendosin vetë për kujdesin shëndetësor të fëmijëve të tyre. Falënderojmë Perëndinë tonë, Jehovain, për këtë fitore ligjore, që do t’i ndihmojë bashkëbesimtarët të marrin vendime mjekësore që ua lejon ndërgjegjja si të krishterë.—Psalmi 37:28.