1 TETOR 2019
ITALI
Gjykata e Lartë Italiane mbështet arsimimin fetar në çështjet e kujdestarisë së fëmijëve
Më 30 gusht 2019 Gjykata e Lartë e Italisë në Romë shpalli një vendim të rëndësishëm që lidhet me kujdestarinë e fëmijëve dhe me të drejtat e prindërve. Ky vendim i marrë nga gjykata më e lartë e Italisë mbështet të drejtën e një nëne Dëshmitare të Jehovait që t’i mësojë bindjet e saj fetare djalit të vogël.
I ati që nuk është Dëshmitar dhe që është ndarë nga mamaja e fëmijës, ngulte këmbë se fëmija duhej të mësonte vetëm bindjet e tij fetare. Dy gjykata të shkallëve më të ulëta kishin vendosur në favor të të atit dhe kishin thënë se fëmija mund «të ngatërrohet» po të mësojë një fe tjetër. Këto vendime ia bënin shumë të vështirë mamasë t’i mësonte djalit bindjet e saj fetare. Gjykata e Lartë i anuloi vendimet e gjykatave më të ulëta dhe rikonfirmoi të drejtën e të miturit për të pasur një «lidhje të njëjtë me të dy prindërit». Gjithashtu theksoi se të gjitha grupet fetare gëzojnë «të njëjtin respekt para ligjit» dhe tha se vendimi i gjykatave më të ulëta ishte «paragjykim» ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Sipas vendimit, nëse prindërit nuk bien dakord për llojin e arsimimit fetar që duhet të marrin fëmijët, një gjykatës nuk ka të drejtë të vendosë cila fe është më e mirë.
Shpresojmë që ky vendim do të jetë një precedent për të ardhmen për çështjen e kujdestarisë së fëmijëve në Itali. Pa diskutim që kjo do t’u vlejë prindërve të cilët po përpiqen fort të rritin fëmijët «me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait».—Efesianëve 6:4, nwt.