Kalo te përmbajtja

Pallati i Drejtësisë në Romë, ku ndodhet Gjykata e Lartë e Kasacionit

9 SHKURT 2021
ITALI

Gjykata e Lartë e Kasacionit në Itali merr vendim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait për çështjen e trajtimit mjekësor

Gjykata e Lartë e Kasacionit në Itali merr vendim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait për çështjen e trajtimit mjekësor

Gjykata e Lartë e Kasacionit në Itali mori një vendim në favor të një Dëshmitareje të Jehovait lidhur me të drejtën e pacientit për të vendosur vetë për trajtimin mjekësor. Më 23 dhjetor 2020, Gjykata e Lartë mbrojti vendimin e mëparshëm të një gjykate tjetër, sipas së cilës të gjithë pacientët kanë të drejtën të zgjedhin kujdesin mjekësor për veten e tyre, ku përfshihet e drejta për të zgjedhur terapi të efektshme që nuk bien ndesh me bindjet e tyre fetare.

Shkak për këtë çështje gjyqësore u bë një incident tragjik i vitit 2005, ku disa mjekë shkelën të drejtat e një Dëshmitareje. Para operacionit, ajo ua kishte bërë të qartë mjekëve si gojarisht, edhe nëpërmjet deklaratës paraprake Udhëzime për Trajtimin Mjekësor, se nuk pranonte transfuzion gjaku. Mirëpo mjekët e shpërfillën dëshirën e saj dhe i bënë disa transfuzione.

Gjykata pranoi se refuzimi i transfuzionit të gjakut «nuk është thjesht ushtrim i së drejtës së personit për të vendosur çfarë trajtimi mjekësor dëshiron të marrë, por është edhe një vendim i qëllimshëm që dikush e merr për shkak të bindjeve fetare». Ajo e përkufizoi këtë liri si një «të drejtë të pamohueshme, të cilën Kushtetuta e mbron ‘plotësisht’».

Ky vendim është fitorja e fundit nga dhjetë fitoret e njëpasnjëshme të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjykatën e Lartë të Kasacionit në Itali që nga viti 2015. Në secilën çështje, Gjykata mbrojti aspekte të rëndësishme të lirisë sonë fetare. Çështjet trajtonin këto tema:

  • Refuzimi i transfuzionit të gjakut: Dëshmitarët e Jehovait duan kujdesin më të mirë shëndetësor dhe pranojnë shumicën e trajtimeve mjekësore. Gjykatat kanë konfirmuar se pacientët Dëshmitarë kanë të drejtën të zgjedhin trajtime mjekësore që nuk bien ndesh me ndërgjegjen e tyre të stërvitur nga Bibla. Mjekët duhet ta respektojnë vendimin e pacientit për të mos pranuar transfuzion gjaku. Është e drejta ligjore e pacientit të marrë një vendim të tillë i shtyrë nga bindjet e tij fetare.

  • Kujdestaria e fëmijëve: Prindërit Dëshmitarë kanë të njëjtën të drejtë si prindërit që s’janë Dëshmitarë për t’u mësuar fëmijëve të tyre bindjet fetare që kanë.

  • Përjashtimi: Dëshmitarët e Jehovait nuk i diskriminojnë individët e përjashtuar. Përkundrazi, Dëshmitarët kanë të drejtë të shmangin shoqërinë me ata që janë përjashtuar nga kongregacioni i tyre. Kjo është e drejta e tyre fetare dhe të tjerët duhet ta respektojnë.

  • Taksat: Dëshmitarët e Jehovait i paguajnë taksat dhe gëzojnë të njëjtat të drejta dhe përjashtime si të gjitha fetë e tjera në Itali lidhur me taksat për vendet e adhurimit.

Marrim zemër kur autoritetet qeveritare japin vendime që mbrojnë të drejtat e popullit të Jehovait për të adhuruar lirisht Perëndinë e tyre.—Proverbat 21:1.