26 MAJ 2020
ITALI
Intervistë me një mjek urgjence në Itali
Vëlla Xhandomeniko Gulá është mjek në spitalin e Erbës, pranë Komos, Itali. Si pasojë e emergjencës së krijuar nga COVID-19, i është dashur të përballet me situata të vështira dhe stresuese. Megjithatë, besimi i jep paqe mendore, e si rezultat është në gjendje të ngushëllojë të tjerët. (2 Korintasve 1:4) Kohët e fundit është intervistuar nga Zyra e Informacionit për Publikun, dega e Italisë.
Në vijim jepet intervista e përmbledhur me vëllanë Gulá.
Çfarë situate po përjeton si pasojë e pandemisë?
Xhandomeniko Gulá: Në spitalin ku punoj, gjithçka erdhi shumë papritur, si një tsunami. Gjithë spitali u riorganizua nga e para për të krijuar reparte për pacientët e COVID-19. Kjo situatë e trishtueshme kërkon që pacientët të izolohen dhe të mos takohen me asnjë nga familjarët, të afërmit dhe miqtë e ngushtë. Kështu më duhet mua t’i përditësoj familjarët me të rejat e fundit nëpërmjet telefonit. Një herë, në mes të natës, m’u desh të njoftoja një djalë që po i vdiste mamaja. Me celularin tim bëra një videotelefonatë që djali ta shihte për herë të fundit mamanë, edhe pse në koma. Ishte diçka shumë e dhimbshme.
Si gjen ngushëllim nga gjërat që ke mësuar në Bibël?
XHG: Ndryshe nga kolegët e mi, që shpesh i shoh të çorientuar dhe të dërrmuar, studimi i Biblës po më ndihmon vërtet të ruaj qetësinë. Sot e kuptoj më mirë se kurrë që Jehovai na ka përgatitur për këto kohë të vështira. Pandemia është provë e mëtejshme e plotësimit të profecive të Biblës, dhe kjo më ndihmon ta shoh këtë situatë nga perspektiva e duhur. Më është forcuar jashtë mase besimi.
Në ç’mënyrë të ndihmon ngushëllimi që merr nga Jehovai të ngushëllosh të tjerët?
XHG: E ndiej në një mënyrë të jashtëzakonshme frymën e shenjtë të Perëndisë. Ajo më ndihmon në familje, në punë dhe të mbështes vëllezërit që kalojnë vështirësi si pasojë e pandemisë.
Si po të ndihmon Jehovai që të ngushëllosh familjen?
XHG: Edhe pse duhet të punoj me orar të zgjatur në spital, bëj gjithë sa mundem që të adhuroj Jehovain me familjen. Kam parë se kjo e ka bërë më të fortë gruan time. Ndihemi më të bashkuar. Adhurimi familjar më ndihmon t’i përcjell qetësi edhe vajzës, Xhinevrës, që është gati 3 vjeçe. Edhe ajo e kupton që diçka ka ndryshuar dhe e manifeston shqetësimin e saj me shprehje të tilla, si: «Babi, nuk dua që të shkosh në punë, sepse atje ka koronavirus» ose «kam frikë mos babi nuk vjen më në shtëpi». Për ta qetësuar dëgjojmë këngë nga jw.org, dhe në çast i kthehet buzëqeshja.
A mund të na tregosh ndonjë rast që u ke dhënë ngushëllim kolegëve?
XHG: Një koleg që punon në pavijonin tim, kohët e fundit ka filluar të studiojë Biblën. E kam njohur pak vite më parë në spitalin ku punoja dikur dhe që atëherë kemi bërë biseda rreth Biblës. Pak para se të shpërthente pandemia, nisi të studionte dhe ka vendosur që të mos heqë dorë. Për momentin studiojmë në videokonferencë dhe ka raste që studiojmë edhe 2 herë në javë. M’u ngroh zemra, kur një herë më tha: «Studimi i Biblës po më ndihmon të përmirësoj jetën. Jam më i qetë. Po marr përgjigjet e shumë pyetjeve që kanë të bëjnë me ekzistencën e njeriut dhe me situatën aktuale. Besimi që po krijoj, më jep stabilitet dhe shpresë për të ardhmen.»
A ke pasur mundësi të ngushëllosh vëllezërit e motrat e kongregacionit?
XHG: Fatkeqësisht një motër e kongregacionit [motër Daniela Zgreva] doli pozitive me COVID-19 dhe duhej çuar në spital. Kontaktova dy vëllezër që janë pronarë të një ambulance, dhe së bashku organizuam transportin për motrën. Vëllezërit bënë 50 km rrugë që ta merrnin. Por sa u gëzua motra kur i pa! E sa e ngushëlluar u ndie kur u takuam në spital, pavarësisht situatës trishtuese të emergjencës. E pa veten të rrethuar nga vëllezër dhe, meqë të gjithë jemi staf mjekësor, mund të ishim aty me të. Motra mori forcë nga gjithë dashuria dhe përkrahja e vëllezërve dhe e motrave, e me mirënjohje u shpreh: «E dija se Jehovai na kupton, por kësaj radhe ka shkuar përtej çdo imagjinate.»
Çdo ditë mbështetem gjithnjë e më shumë te Jehovai dhe te fuqia e tij. Sa herë që shkoj e kthehem me makinë nga puna, dëgjoj këngë nga jw.org, të cilat më japin forcën e nevojshme për të përballuar ditën. Falënderoj Jehovain për gjithë ndihmën që më jep dhe, ndërsa dëgjoj këngën O Jehova, gjithmonë na gjendesh pranë, përsëris brenda vetes: «O At’ gjithmon’ na gjendesh pran’! Sa ngroht’ na pret, me durim na flet, me ty ka vler’ kjo jet’!»