12 NËNTOR 2020
ITALI
Një gjykatë italiane mbron të drejtën e prindërve Dëshmitarë për të zgjedhur trajtimin mjekësor për fëmijët e tyre
Kohët e fundit, Gjykata e Apelit në Milano, Itali, vendosi në favor të një çifti Dëshmitarësh të Jehovait në çështjen që lidhej me trajtimin mjekësor të vajzës së tyre. Falë këtij vendimi bëhet e qartë se gjykatat nuk mund të vënë në pikëpyetje aftësinë e prindit për të marrë vendime të mençura për fëmijën e vet, vetëm se kërkon që fëmija të trajtohet pa gjak. Gjykata vendosi se prindërit kanë të drejtë të refuzojnë transfuzionin e gjakut për fëmijët e tyre, duke u bazuar te bindjet fetare të sinqerta.
Në shtator të 2019-s, një çift Dëshmitarësh e çuan në spital vajzën e tyre dhjetëmuajshe, sepse u dëmtua pasi u rrëzua. Mjekët zbuluan se për shkak të përplasjes në kokë, ishte krijuar një hematomë poshtë cipës së trurit dhe duhej t’i bënin ndërhyrje. Ata e kryen operacionin me sukses pa përdorur fare gjak.
Më vonë, edhe pse fëmija po e merrte veten dhe ishte jashtë rrezikut, një mjek u kërkoi leje prindërve t’i bënin transfuzion gjaku, si pjesë e «terapisë mbështetëse». Mirëpo, në vend të transfuzionit të gjakut, prindërit kërkuan që të përdornin terapi alternative të njohura e të pranuara gjerësisht.
Mjeku nuk e respektoi kërkesën e prindërve, por njoftoi policinë dhe zyrën e prokurorisë. Prokuroria siguroi një urdhër gjykate nga një gjykatë e shkallës së parë që merret me çështjet familjare. Urdhri i gjykatës kufizonte autoritetin ligjor të prindërve dhe ia kalonte drejtorit të spitalit autoritetin për trajtimin mjekësor të fëmijës. Gjithsesi, vajzës nuk i bënë transfuzion gjaku ngaqë mjekët vendosën se nuk ishte e nevojshme.
Kjo ngjarje tërhoqi vëmendjen e medias kombëtare. Shumë media italiane raportuan gabimisht se vajza shpëtoi falë një transfuzioni gjaku të autorizuar nga gjykata.
Më 10 shtator 2020, Gjykata e Apelit hodhi poshtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë që kufizonte autoritetin ligjor të prindërve. Gjykata e Apelit tha se kjo gjykatë nuk duhej të kishte nxjerrë atë urdhër gjykate, madje nuk kishte as autoritetin për të gjykuar këtë çështje.
Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit në Milano deklaroi: «Thjesht fakti që prindërit refuzojnë transfuzionin e gjakut në përputhje me bindjet e tyre fetare, s’mund të konsiderohet si bazë për të gjykuar se nuk janë të aftë ta ushtrojnë siç duhet autoritetin prindëror.» Vetëm gjatë vitit të fundit, tri Gjykata Apeli në Itali kanë mbështetur të drejtën e prindërve Dëshmitarë për të kërkuar strategji mjekësore pa gjak për fëmijët e tyre.
Është e rëndësishme që autoritetet juridike dhe mjekësore të kuptojnë se Dëshmitarët e Jehovait nuk praktikojnë shërimin me anë të besimit dhe nuk janë kundër mjekësisë. Në të vërtetë, ata kërkojnë kujdesin më të mirë mjekësor në spitale moderne që kanë përvojë dhe pajisjet e duhura për të siguruar trajtime që janë në përputhje me bindjet e tyre fetare të sinqerta. Dëshmitarët duan thjesht që mjekët të mos përdorin gjak në rastin e tyre. Në spitalet e mëdha anekënd botës, mjekë specialistë e kanë pranuar këtë sfidë dhe po sigurojnë trajtime të shkëlqyera pa përdorur transfuzione gjaku.
Jemi mirënjohës që këto vendime gjyqësore mbrojnë motrat e vëllezërit tanë, të cilët janë të vendosur të zgjedhin trajtime të pranueshme mjekësore për fëmijët e tyre.—Veprat 15:29.