16 NËNTOR 2020
ITALI
Projekti për transferimin e degës së Italisë vazhdon pavarësisht nga pandemia
Kriza ekonomike dhe shëndetësore nuk e ka penguar transferimin në Bolonjë të zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Itali. Më 5 shtator 2020, projekti arriti pikën kulmore kur përfundoi godina e parë e banimit. Sipas programit, dega e re do të jetë gati në fund të vitit 2023.
Një Komitet i Projektit të Ndërtimit (KPN) i përbërë nga pesë vëllezër po mbikëqyr punën për degën e re. Për projektimin dhe ndërtimin e kësaj godine banimi vëllezërit bënë kontratë me një kompani ndërtimi, e cila nisi punën në shtator të 2018-s.
Në vitin 2019, kriza e rëndë ekonomike goditi shumë kompani në atë zonë. Kjo e detyroi kompaninë e ndërtimit të ndalonte punën dhe të riorganizohej. Megjithatë, struktura e godinës kishte përfunduar tashmë, prandaj puna nuk u bllokua për shumë kohë.
Në fillim të vitit 2020, pandemia COVID-19 goditi rëndë veriun e Italisë, përfshirë edhe Bolonjën. Autoritetet kombëtare dhe vendore pezulluan shumë aktivitete në qytet, ndër to edhe projektet e ndërtimit. Mirëpo, pas një muaji, autoritetet hoqën disa kufizime dhe puna mund të vazhdonte, por duke respektuar udhëzimet shëndetësore dhe protokollin e organizatës sonë për t’u mbrojtur nga COVID-19.
Vëlla Paolo Komparato, pjesëtar i KPN-së, tregon: «Falënderojmë Jehovain për këtë arritje! Pa frymën e tij nuk do t’ia dilnim dot të kapërcenim gjithë pengesat që na dolën para.»
Znj. Kristina Dalakaza, drejtoreshë e kompanisë përgjegjëse për ndërtimin, komenton: «Jemi të lumtur që Dëshmitarët e Jehovait na zgjodhën ne për të ndërtuar një nga godinat më të rëndësishme për ta në Itali. Kemi bashkëpunuar si një skuadër, dhe kjo na ka ndihmuar të kapërcejmë të gjitha sfidat që hasëm gjatë ndërtimit. Dëshmitarët e Jehovait tregojnë shumë merak në projektet e tyre, sidomos për sigurinë e punëtorëve në kantier.» Ajo përfundon me këto fjalë: «Mbi të gjitha, jam e lumtur që kam njohur një grup me njerëz të ndershëm e të besueshëm. Nuk është gjë e vogël në këtë periudhë krize sociale dhe ekonomike.»
Jemi të sigurt se Jehovai do të vazhdojë ta mbështetë këtë projekt që do t’i sjellë lavdi emrit të tij.—Psalmi 127:1.