2 DHJETOR 2016
ITALI
Hapet një «Sallë Mbretërie» brenda një burgu italian
ROMË—Duke ditur sa mirë ndikojnë Dëshmitarët e Jehovait te komuniteti, autoritetet e një burgu në qytetin Bolate, 15 kilometra në veri të Milanos, kanë ofruar një dhomë të madhe vetëm për Dëshmitarët, që ta përdorin si «Sallë Mbretërie», pra si vend adhurimi.
Drejtori i burgut, dr. Masimo Parizi, shpjegon se burgu në Bolate u ndërtua për rehabilitimin e të dënuarve: «Një nga objektivat tanë është të sigurohemi që ata të kenë sërish shpresë, dhe për këtë përdorim metoda të ndryshme. Dhe, mësimet për Perëndinë nuk janë më pak të rëndësishme.» Gjatë 13 viteve të fundit, Dëshmitarët e Jehovait janë lejuar t’u ofrojnë të burgosurve studime biblike falas. Dr. Parizi flet për rezultatet: «Dëshmitarët kanë bashkëpunuar me ne prej vitesh dhe disa nga të dënuarit kanë ndryshuar për mirë falë arsimimit të tyre biblik. . . . Për këtë arsye, menduam se ishte ide e mirë të caktonim një vend që Dëshmitarët ta përdornin për të ndihmuar të burgosurit që të arrijnë potencialin e tyre të plotë.» Në dy raste brenda disa muajsh, në shërbesat fetare të Dëshmitarëve kanë shkuar mbi 100 të burgosur.
Kristian Di Blazio, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Itali, pohon: «Jemi të kënaqur që autoritetet e burgut në Bolate kanë marrë iniciativën të na e lehtësojnë punën duke krijuar këtë vend adhurimi brenda mureve të burgut. Presim me padurim që të bashkëpunojmë akoma me ta për t’i ndihmuar të dënuarit të përfitojnë nga programi ynë i arsimimit biblik i përshtatur enkas për nevojat e tyre.»
Zëdhënësit për mediat:
Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, 1-718-560-5000
Itali: Kristian Di Blazio, 39-06-872941