22 GUSHT 2018
ITALI
Një gjykatë në Sicili mbron të drejtat e pacientëve Dëshmitarë të Jehovait
Më 6 prill 2018, Gjykata e Termini-Imerezes në Sicili e shpalli fajtor për kryerjen e një vepre penale një kirurg që i kishte bërë transfuzion gjaku kundër vullnetit të saj një pacienteje Dëshmitare të Jehovait. Gjykata e urdhëroi kirurgun t’i paguante gruas si dëmshpërblim 10.000 euro, ndërsa bashkëshortit të saj, që po ashtu është Dëshmitar i Jehovait, 5.000 euro. Është hera e parë që një gjykatë italiane e shpall fajtor një mjek për shkeljen e së drejtës themelore të dikujt për të vendosur vetë çfarë do të bëhet me trupin e tij, në harmoni me bindjet që ka.
Kjo çështje kishte të bënte me një motër që pati ndërlikime pas një ndërhyrjeje kirurgjike në tëmth në dhjetor të 2010-s. Edhe pse në mënyrë të përsëritur nuk pranoi produkte me përbërje gjaku, kundër vullnetit të saj i bënë transfuzion me rruaza të kuqe, pasi e kishte të pamundur nga ana fizike të reagonte. Kirurgu pohoi në mënyrë të rreme se kishte autorizim nga gjykata.
Më vonë, ajo dhe i shoqi ngritën një padi pranë Prokurorisë Publike. Gjykata vendosi se, «në rastin e një Dëshmitari të Jehovait në moshë madhore dhe plotësisht në gjendje të vendosë vetë, . . . mjeku nuk mund ta japë këtë trajtim» nëse pacienti nuk pranon.
Gjykata pohoi edhe se Kushtetuta e Italisë ndalon që mjekët të japin trajtime mjekësore pa miratimin e pacientit, edhe nëse mjekët thonë se trajtimi është i domosdoshëm. Sipas vendimit të gjykatës, «justifikimi i domosdoshmërisë . . . nuk vlen nëse kundërshtimi i pacientit është i shprehur qartë, i pandikuar nga të tjerët dhe i vlefshëm».
Në raportin mjekësor që paraqiti në gjyq, Daniele Rodriguez, profesor i Mjekësisë Ligjore dhe i Bioetikës në Universitetin e Padovës i cili dëshmoi si ekspert në këtë fushë, vërejti që «e drejta për të refuzuar një trajtim mjekësor të caktuar mbrohet nga rregullime të nivelit kushtetues dhe shprehet qartë në [nenin] 32 të Kushtetutës [italiane], që thotë se ‘askush nuk mund të detyrohet të pranojë një trajtim mjekësor, përveç rasteve kur e parashikon ligji’». Duke komentuar mbi vendimin e Gjykatës, Luka Bençi, jurist italian dhe ekspert i ligjit mbi shëndetin, shkroi në Quotidiano Sanità (Shëndeti i përditshëm): «Nuk ekziston asnjë ligj që e bën transfuzionin e gjakut të detyrueshëm për pacientët që e refuzojnë. E drejta për të refuzuar një lloj trajtimi ka përparësi mbi çdo gjë tjetër.»
Marçelo Rifiçi, avokat i palës së Dëshmitarëve të Jehovait, pohoi: «Na vjen mirë që ky vendim është në harmoni me standardet e përcaktuara evropiane, si ato që janë kodifikuar nga vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat mbrojnë të drejtën e gjithë pacientëve për të vendosur mbi trajtimet mjekësore. Vlen të përmendet që në vitin 2017, Parlamenti i Italisë miratoi ligjin 219/2017, i njohur si ‘Ligji për vullnetin e pacientit’, i cili thekson të njëjtat parime si ky vendim.»
Luço Marsela, një tjetër avokat i palës së Dëshmitarëve, komenton: «Vendimi i gjykatës vendos një precedent që shërben si mbrojtje për të gjithë mjekët, të cilët me ndërgjegje dhe me guxim përpiqen fort t’u japin pacientëve trajtimin më të mirë të mundshëm ndërkohë që respektojnë të drejtën e tyre për të vendosur.»