Kalo te përmbajtja

Pallati i Drejtësisë në Romë ku gjendet dhe Gjykata e Lartë e Italisë

18 KORRIK 2019
ITALI

Gjykata e Lartë Italiane mbështet të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait për kujdesin shëndetësor

Gjykata e Lartë Italiane mbështet të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait për kujdesin shëndetësor

Më 15 maj 2019 Gjykata e Lartë e Italisë mbrojti të drejtën e vëllezërve për të marrë vendime për kujdesin shëndetësor. Gjykata e bëri të qartë se pacienti ka të drejtën të zgjedhë një përfaqësues për kujdesin shëndetësor, që të mbrojë vendimin e tij për të refuzuar një transfuzion gjaku. Gjithashtu, ajo pranoi që ligjet e Italisë i japin të drejtë pacientit të caktojë një përfaqësues për kujdesin shëndetësor edhe në rastet kur nga momenti në moment pacienti mund të humbasë aftësinë për të komunikuar.

Çifti Kapeli

Vendimi erdhi pas disa gjyqeve për çështjen e një plaku kongregacioni, që quhet Luka Kapeli. Gjatë 25 viteve të fundit ai ka vuajtur nga një anomali e enëve të gjakut në tru. Vëlla Kapeli jo vetëm që duhet të bëjë ndërhyrje të herëpashershme, por ka dhe raste që nuk komunikon dot. Kështu që, para çdo ndërhyrjeje, plotësonte deklaratën Udhëzime për Trajtimin Mjekësor dhe si përfaqësuese për kujdesin shëndetësor, caktonte të shoqen, Françeskën. Gjithsesi, një gjykatës dhe një gjykatë apeli nuk pranuan që gruaja e tij të caktohej përfaqësuese për kujdesin shëndetësor duke i mohuar të drejtën për të refuzuar një transfuzion gjaku.

Më 16 shkurt 2017, çështja e vëlla Kapelit u paraqit në Gjykatën e Lartë të Italisë. Ajo vendosi që gjykatat më të ulëta kishin shkelur Kushtetutën e Italisë dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat mbrojnë të drejtën e pacientit për të vendosur vetë. Ia vlen të përmendet që Gjykata tha se është e rëndësishme të mbrosh dhe të garantosh të drejtat e pacientit për të mos pranuar trajtime mjekësore, sidomos kur kjo lidhet me bindjet fetare. Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë, gjykatat italiane janë të detyruara të respektojnë edhe më tepër masat që marrin vëllezërit për të shmangur transfuzionet e gjakut.

Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës janë të lumtur për vendimin e Gjykatës së Lartë për të mbrojtur të drejtat e vëllezërve në Itali, që po veprojnë sipas ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla për përdorimin e gjakut.—Veprat 15:29.