26 SHTATOR 2019
ITALI
Pllakë përkujtimore në nder të Dëshmitarëve të përndjekur nga nazistët dhe fashistët në Itali
Më 10 maj 2019 qeveritarë, historianë, gazetarë dhe qindra vizitorë morën pjesë në ceremoninë e përurimit të pllakës përkujtimore kushtuar mijëra vëllezërve e motrave që u përndoqën nga nazistët dhe fashistët. Ceremonia u mbajt në Riziera di San Sabë të Triestes, në verilindje të Italisë, dikur një fabrikë orizi që u kthye në të vetmin kamp përqendrimi italian me kremator. Ceremonia tërhoqi vëmendjen e mediave lokale dhe kombëtare, si Canale 5, një nga TV më të ndjekura në vend.
Kristian Di Blazio, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Itali, hapi ceremoninë me një fjalim për besnikërinë. Ai tha: «Dëshmitarët e Jehovait ishin të vetmit në Rajhun e Tretë që i përndoqën për shkak të bindjeve fetare. Përveç kësaj, ishin i vetmi grup që mund të shmangnin martirizimin, mjaftonte të hiqnin dorë nga besimi i krishterë e të mbështetnin regjimin. Prapëseprapë, patën guximin të ruanin vlerat e krishtere—besnikërinë ndaj Perëndisë dhe dashurinë për të tjerët.» Më pas ai shfaqi një video me një intervistë të motrës Ema Bauer, e cila tregonte si e kishin përndjekur atë dhe familjen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo shpjegonte se të krishterët e vërtetë nuk hoqën dorë nga parimet edhe kur u përballën me vdekjen. Në fund foli edhe kryebashkiaku i Triestes, Roberto Dipiaca. Ai tha: «Jam shumë i kënaqur që po vihet kjo pllakë përkujtimore. Duhet të bëjmë çmos që përndjekje të tilla të mos përsëriten më kurrë.» Më pas pllaka u përurua zyrtarisht.
Për domethënien e rastit komentuan edhe shumë akademikë e figura publike. Për shembull, Xhorxho Bushari, ish-president i Federatës së Kishave Evangjeliste në Itali, tha: «Asnjë kishë tjetër nuk ka paguar ndonjëherë çmim aq të lartë me jetë njerëzish, sa Dëshmitarët e Jehovait. . . . Megjithatë, kjo eksperiencë mizore i ka forcuar ata. Dëshmitarët e Jehovait kanë dhënë prova të qarta para njerëzve, dhe besojmë se edhe para Perëndisë, se janë të vetmit që e kundërshtuan plotësisht ideologjinë e Rajhut të Tretë.» (Për komente të tjera, shih kutinë më poshtë.)
Mendohet se këtë pllakë historike në Riziera di San Sabë do ta vizitojnë rreth 120.000 veta në vit. Çdo vizitor do të ketë mundësinë të shohë këtë pllakë në kujtim të mijëra Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët ruajtën besimin dhe asnjanësinë, pavarësisht nga përndjekja nazifashiste.—Zbulesa 2:10.