Kalo te përmbajtja

Specialistë të mjekësisë vizitojnë këndin tonë në Konferencën e SIAARTI-it në Palermo

27 QERSHOR 2019
ITALI

Dy konferenca të rëndësishme mjekësore në Itali: mjekët interesohen për kirurgjinë pa gjak

Dy konferenca të rëndësishme mjekësore në Itali: mjekët interesohen për kirurgjinë pa gjak

Dëshmitarë ofrojnë informacione rreth strategjive alternative të transfuzionit në Konferencën e Përbashkët të Shkencëtarëve për Kirurgjinë, në Romë

Shumë mjekë kanë shprehur vlerësim për rrjetin ndërkombëtar që ka krijuar organizata jonë për të siguruar informacione rreth strategjive mjekësore dhe kirurgjike që shmangin transfuzionet e gjakut. Shërbimi i Informacioneve Shëndetësore, që ndodhet në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Romë, Itali, është pjesë e këtij rrjeti mbarëbotëror. Nga 10 deri 13 tetori 2018, në Palermo, Sicili, u organizua Konferenca Kombëtare e Shoqatës Italiane të Anestezisë, Analgjezisë, Reanimacionit dhe Terapisë Intensive (SIAARTI). Aty morën pjesë edhe përfaqësues nga Shërbimi i Informacioneve Shëndetësore dhe nga Komiteti i Lidhjes me Spitalet (Itali) të cilët ngritën një kënd informativ. Menjëherë pas këtij evenimenti, Dëshmitarët vepruan po njësoj edhe në Konferencën e Përbashkët të Shkencëtarëve për Kirurgjinë, që u mbajt në Qendrën e Kongreseve «La Nuvola», në Romë.

Falë këtyre konferencave u sigurojmë informacione të përditësuara për mjekësinë pa gjak shumë specialistëve në këtë fushë. Konferencën në Palermo e ndoqën 2.800 anestezistë. Në konferencën në Romë, më e madhja e mbajtur deri më sot në Itali, morën pjesë 3.500 kirurgë. Aty ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga mjaft institucione të respektuara mjekësore. Mes tyre edhe anëtarë nga të gjitha shoqatat italiane të kirurgëve dhe nga filiali italian i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve. Ky eveniment pati mbështetjen e disa institucioneve shtetërore të tilla, si Ministria e Shëndetësisë.

Anestezisti Vinçenco Skuderi, nga Poliklinika e Katanjës, në Sicili, vizitoi këndin tonë në konferencën e Palermos. Më 18 janar 2019, ai kreu ndërhyrje urgjente te një paciente Dëshmitare me çarje të aortës. E kreu me sukses këtë operacion mjaft të ndërlikuar pa përdorur gjak. Dr. Skuderi shpjegon: «[Këndi juaj informativ] në konferencën e SIAARTI-it 2018 ishte tepër i dobishëm. Më hynë shumë në punë dokumentet që siguruat.»

Momentalisht, në Itali janë mbi 5.000 mjekë që kanë pranuar të kurojnë pacientët Dëshmitarë të Jehovait me teknika mjekësore dhe kirurgjikale të sigurta e të efektshme që nuk kërkojnë përdorimin e transfuzioneve të gjakut. Çdo vit në Itali trajtohen pa gjak mesatarisht 16.000 pacientë Dëshmitarë.