Kalo te përmbajtja

22 NËNTOR 2017
ITALI

Refugjatët në kampin më të madh të emigrantëve në Evropë mirëpriten nga Dëshmitarët e Jehovait

Refugjatët në kampin më të madh të emigrantëve në Evropë mirëpriten nga Dëshmitarët e Jehovait

ROMË—Kampi më i madh i refugjatëve në Evropë ndodhet në qytetin e Mineos (Cara di Mineo), në ishullin italian të Sicilisë. Mijëra emigrantë nga më se 40 vende, si Eritreja, Nigeria, Siria dhe Somalia ndodhen në këtë kamp në kërkim të një azili.

Në pesë vitet e fundit Dëshmitarët e Jehovait e kanë vizituar kampin (fotoja lart) për t’u ofruar të interesuarve arsimim biblik falas. Me bashkëpunimin e ngushtë të administratës së Cara di Mineo, u vu në dispozicion një autobus 50-vendësh për refugjatët që donin të ndiqnin mbledhjet fetare të Dëshmitarëve, dhe që prej asaj kohe, shumë veta kanë shkuar çdo javë në Sallën e Mbretërisë (vend adhurimi). Znj. Ivana Galanti, zëvendësdrejtoreshë në kampin e Cara di Mineo, komenton për bashkëpunimin me Dëshmitarët e Jehovait: «E njoh dhe e çmoj punën që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për mysafirët tanë. Mendoj se mikpritja që u kanë treguar [Dëshmitarët e Jehovait], është një përvojë e bukur dhe e këndshme për refugjatët, që kanë lënë pas kushte të trishtueshme e madje të mjerueshme dhe që ndodhen në një ambient të panjohur.»

Më 2011 Hamfri Osagiede la shtëpinë në Nigeri, kaloi përmes Libisë dhe mbërriti në kampin në Cara di Mineo. Tani jeton në Palermo, Itali, dhe është Dëshmitar i Jehovait

Hamfri Osagiede, një nigerian që erdhi në kamp në vitin 2011, nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët dhe u pagëzua më 23 nëntor 2014. Ai komenton: «Bibla ma ka ndryshuar vërtet jetën. I kam lënë pas drogën dhe jetën imorale. Kur mbërrita këtu, Dëshmitarët më ndihmuan edhe nga ana praktike, edhe të miqësohesha me Perëndinë. Falënderoj edhe përgjegjësit e kampit që na siguruan transport për të ndjekur mbledhjet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait.» Tani, z. Osagiede jeton dhe punon në Palermo, Itali, dhe kënaqet kur u flet të tjerëve, përfshirë refugjatët, për mesazhin e Biblës që e ndihmoi edhe atë vetë.

Kristian Di Blazio, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Itali, thotë: «Synimi ynë kryesor është të ndihmojmë të tjerët të kuptojnë mësimet e Biblës. Bashkëpunimi me personelin e këtij kampi u ka dhënë mundësi refugjatëve të nxjerrin dobi nga arsimimi biblik, një arsimim që i ndihmon goxha të lidhen me Perëndinë dhe që plotëson shumë nga nevojat e tyre emocionale.»

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Itali: Kristian Di Blazio, +39-06-872941