Kalo te përmbajtja

Kati i parë i ekspozitës «Wedontdothat» në Center for Humanistic Education

28 PRILL 2022
IZRAEL

Në Izrael hapet një ekspozitë për përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait nga nazistët

Në Izrael hapet një ekspozitë për përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait nga nazistët

Më 7 mars 2022, në Izrael u hap një ekspozitë e re që nxjerr në pah guximin e Dëshmitarëve të Jehovait përballë përndjekjes naziste. Ekspozita po mbahet në Center for Humanistic Education at the Ghetto Fighters’ House Museum në Galilenë Perëndimore dhe po prezantohet në gjuhët angleze, arabe dhe hebraike. Ajo do të qëndrojë e hapur deri në mars 2023. Për përgatitjen e kësaj ekspozite, me stafin e muzeut bashkëpunuan më tepër se 50 motra e vëllezër nga mbarë bota. Ata u morën me kërkimet historike, me paraqitjen grafike dhe me përkthimin e materialeve për ekspozitën.

Ekspozita interaktive ka temën «Wedontdothat» (Ne nuk e bëjmë këtë) dhe u frymëzua nga nofka që i vuri një anëtar i mbrojtjes civile gjermane vëllait Joakim Alferman, një Dëshmitari të Jehovait të përndjekur nga nazistët. a Edhe pse i bënë një presion të tmerrshëm, e rrahën dhe e futën në izolim, Joakimi nuk pranoi të stërvitej për ushtrinë gjermane, duke u thënë: «Ne nuk e bëjmë këtë.» Më vonë, e futën në një kamp përqendrimi ngaqë nuk pranonte të merrte armët. Kuratorja e ekspozitës, znj. Jara Geilëri, vërejti: «Përveç judenjve që u vranë për arsye të ndryshme, u vranë edhe miliona të tjerë. . . . Secili prej atyre grupeve mbart një histori unike.»

Hyrja për në Center for Humanistic Education

Dr. Gideon Grifi, ekspert i Holokaustit dhe historian i specializuar për historinë e Aushvicit, foli në programin hapës të ekspozitës për Dëshmitarët e Jehovait që nuk pranuan të firmosnin deklaratën për të hequr dorë nga besimi. Ai tha: «[Dëshmitarët e Jehovait] mund ta fitonin lirinë fare kollaj—firmosja zgjaste vetëm 1 minutë. Edhe në periudhat më të errëta të historisë njerëzore, ka njerëz që ia dalin të mbajnë norma të larta morale, si me fjalë, edhe me vepra. Ndaj, Dëshmitarët e Jehovait meritojnë t’i kujtojmë. Ia vlen të flasësh për ta, të studiosh historinë e tyre e t’ua mësosh edhe të tjerëve.»

Një motër që shërben në degën e Izraelit dhe që mori pjesë në hapjen e ekspozitës, tha: «M’u mbushën sytë me lot që në Izrael kemi këtë ekspozitë në një muze të hapur për publikun e gjerë. . . . S’kam për ta harruar momentin kur dëgjova anëtarët e stafit të muzeut të thoshin nga podiumi fjalët ‘Dëshmitarët e Jehovait’ në gjuhën hebraike. Pa diskutim, emri i Jehovait mori lavdi në këtë event.»

Vëlla Dejvid Simozragu nga zyra e degës në Izrael, duke folur në hapjen e ekspozitës

Jemi të bindur se ata që do të vizitojnë ekspozitën, do të mësojnë për guximin dhe besimin e vëllezërve e motrave tona në Gjermaninë naziste. Shembulli i tyre i besnikërisë mund t’i motivojë shërbëtorët e Jehovait sot që të vazhdojnë ‘të vrapojnë me qëndrueshmëri në garë’.—Hebrenjve 12:1.