Kalo te përmbajtja

21 SHKURT 2020
IZRAEL

Prezantohen Shkrimet Hebraike gjatë një evenimenti në Izrael

Prezantohen Shkrimet Hebraike gjatë një evenimenti në Izrael

Prindërit bashkë me dy fëmijët janë të lumtur që kanë marrë botimin e ri

«Trupi Udhëheqës ka përgatitur një dhuratë të veçantë për ju.» Me këto fjalë e nisi fjalimin vëllai Xhefri Xhekson, anëtar i Trupit Udhëheqës, kur prezantoi Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve Hebraike në hebraishten e sotme. Në këtë eveniment special që u mbajt më 11 janar 2020 në Romema Arena në Haifë, Izrael, ishin të pranishëm 2.125 veta.

Vëllai Dejvid Simozrag, që punon në Zyrën e Informacionit për Publikun në Izrael, komentoi: «Sipas llogaritjeve, në rajonin tonë ka mbi 8 milionë njerëz që flasin hebraisht. Mendojmë që përkthimi i Tanakh-ut a në hebraishten e sotme do t’u sjellë dobi të gjithë atyre.» Ky botim i ri është ndër të paktat përkthime moderne që disponohen për lexuesit hebrenj.

Tani Përkthimi Bota e Re disponohet i plotë ose pjesërisht në 186 gjuhë. Njësoj si skribët masoretë, vëllezërit tanë që ishin pjesë e skuadrës së përkthimit në hebraisht, punuan fort për ta përcjellë me saktësi mesazhin e Biblës. Për këtë projekt u deshën më shumë se tre vjet. Një nga përkthyesit tha: «Shumë lexues hebrenj duhej të studionin vepra referimi ose përkthime në gjuhë të tjera për të kuptuar disa vargje e madje edhe ndonjë libër të Biblës. Kurse falë kësaj Bible, lexuesit do ta kapin kollaj kuptimin e Shkrimeve.»

Një familje me Shkrimet Hebraike në gjuhën moderne

Një vëlla vërejti: «Kishte dekada që lexuesi i nivelit mesatar nuk arrinte t’i kuptonte shumë pjesë të Tanakh-ut. Por tani mund ta kuptojë mesazhin më qartë e më saktë.» Në territorin e degës së Izraelit ka më tepër se 2.000 lajmëtarë. 603 prej tyre flasin hebraisht dhe pa dyshim që do ta përdorin këtë dhuratë të veçantë ‘për t’u konsultuar me Ligjin e Jehovait dhe për ta zbatuar atë’.—Ezdra 7:10.

a Në hebraisht, librat e Shkrimeve Hebraike janë radhitur ndryshe nga shumica e Biblave. Ata grupohen në tri pjesë: Tora (Ligji), Nevimi (Profetët) dhe Ketuvimi (Shkrimet). Fjala Tanakh përbëhet nga shkronjat e para të këtyre pjesëve. Edhe Bibla e re në hebraisht ndjek këtë radhitje librash.