Kalo te përmbajtja

Dëshmitarë gjatë fushatës speciale të predikimit në Osakë (majtas) dhe në Tokio (djathtas)

30 KORRIK 2024
JAPONI

Dëshmitarë nga 7 vende marrin pjesë në një fushatë speciale predikimi në Japoni

Dëshmitarë nga 7 vende marrin pjesë në një fushatë speciale predikimi në Japoni

Nga data 13 maj deri më 2 qershor 2024, mijëra Dëshmitarë të Jehovait nga Japonia morën pjesë në një fushatë speciale predikimi në zonat metropolitane të Osakës dhe të Tokios. Gjithashtu, për të mbështetur fushatën, ishin ftuar edhe rreth 350 Dëshmitarë nga Australia, Franca, Gjermania, Kanadaja, Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe nga Zelanda e Re.

Mbi 15 milionë banorë jetojnë në Tokio dhe në Osakë. Lajmëtarët vendës bashkë me vëllezërit e motrat nga vendet e tjera morën pjesë në forma të ndryshme shërbimi. Bënë biseda të bukura me njerëzit dhe filluan studime të reja të Biblës.

Një motër nga Australia bashkë me një motër nga Japonia gjatë fushatës

Gjatë dëshmisë me stenda, një motër u lut që të kishte mundësi të fliste me dikë që do të dëshironte të studionte Fjalën e Perëndisë. S’kaloi shumë dhe u afrua një burrë që tha se donte të dinte më shumë për Biblën. Meqë gjuhën e parë kishte kinezishten, motra u organizua që një vëlla vendës që fliste kinezisht, ta vizitonte. Burri ndoqi një mbledhje kongregacioni vetëm 2 ditë pas bisedës që kishte bërë me motrën.

Ndërsa po dëshmonin shtëpi më shtëpi, një motër foli me një grua që pranoi të shihte videon Pse ta studiosh Biblën? Pasi pa videon, gruaja tha: «Gjithnjë ia kam bërë vetes këto pyetje që tregohen në video.» Menjëherë pranoi të studionte Biblën dhe ishte e pranishme në mbledhjen e radhës bashkë me motrën tonë.»

Vëllezër e motra nga kongregacioni i Honmakit në Osakë bashkë me vizitorët, gjatë festës së mirëseardhjes

Kjo fushatë ishte një mundësi e bukur për pjesëmarrësit që të takoheshin e të inkurajoheshin nga vëllezër e motra të vendeve të ndryshme. Aika, një motër 20 vjeçe nga Tatsuno, Japoni, tha: «Ishte një rast i paharrueshëm. I jam shumë mirënjohëse Jehovait që pata mundësi të merrja pjesë në këtë fushatë.» Ndërsa Akihiro, një vëlla vendës që shërben si plak kongregacioni, shtoi: «Ishte inkurajuese të dilnim në shërbim me vëllezërit e motrat që erdhën nga vendet e tjera. Kjo gjë i dha më shumë gëzim shërbimit tonë.»

Jemi shumë mirënjohës që një numër i madh vëllezërish e motrash, vendës dhe nga shtete të tjera, ‘u ofruan vullnetarisht’ për këtë fushatë speciale dhe që dëshmia e tyre ka qenë ‘një britmë e fortë lëvdimi për Jehovain’.—Psalmi 110:3; Ezdra 3:11.