Kalo te përmbajtja

20 PRILL 2019
JAPONI

Del Përkthimi Bota e Re i rishikuar në japonisht

Del Përkthimi Bota e Re i rishikuar në japonisht

Të shtunën më 13 prill 2019, vëlla Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi botimin e rishikuar Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në japonisht. Ky botim u prezantua para një auditori prej 20.868 vetash gjatë një mbledhjeje speciale në Noevir Stadium Kobe në Kobe, Japoni. Programi u transmetua në 8 Salla Asamblesh dhe në shumë Salla Mbretërie në territorin e degës. Në të njëjtën fundjavë, programi u transmetua në disa Salla Mbretërie për ata që s’mund ta ndiqnin direkt. Programin special e ndoqën 220.491 veta gjithsej.

Noevir Stadium Kobe

Jemi shumë të lumtur që mbi 2.950 kongregacione, grupe dhe paragrupe japonishtfolëse përreth botës tani kanë në dispozicion botimin e rishikuar Përkthimi Bota e Re. Kjo dhuratë nga Jehovai do t’i ndihmojë vëllezërit dhe motrat për studimin personal dhe për shërbimin.—Hebrenjve 4:12.

Vëllezër dhe motra të gëzuar marrin Biblën e rishikuar

Në Japoni, Përkthimi Bota e Re u botua për herë të parë para 45 vjetësh. Më 1973, në Kongresin Ndërkombëtar «Fitorja hyjnore» në Osakë, vëlla Lajman Suingëll, që ishte anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në japonisht. Gjatë 9 viteve vijuese u shpërndanë 1.140.000 Bibla, rreth 75 herë më shumë se numri i lajmëtarëve në Japoni në atë kohë. Në vitin 1982, në Japoni u shtyp përkthimi i plotë i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Me prezantimin e botimit të rishikuar, edhe viti 2019 shënon një vit historik për popullin e Jehovait në Japoni.

Përkthimi Bota e Re ka dalë i plotë ose pjesërisht në 179 gjuhë, ku futen edhe 22 rishikime të plota, të bazuara në botimin e 2013-s në anglisht.