13 SHKURT 2020
KAMERUN
Përfundon transferimi i degës së Kamerunit
Më 20 janar 2020, familja Bethel në Kamerun u transferua në zyrën e re të degës që ndodhet në Logbesu, në verilindje të qytetit të Dualës. Momentalisht, në këto godina të reja jetojnë dhe punojnë në kohë të plotë 59 vëllezër e motra, kurse 71 të tjerë vijnë për të punuar nga jashtë Bethelit.
Më parë, dega e Kamerunit ndodhej në Bonaber, në perëndim të qytetit të Dualës. Vëllezërit i kishin restauruar ato godina në vitin 1993, kur shteti hoqi ndalimin 23-vjeçar mbi organizatën tonë. Që nga 1993-shi, numri i lajmëtarëve në territorin e degës së Kamerunit është rritur nga 19.268 në mbi 52.000 veta. Po kështu edhe numri i gjuhëve në të cilat përkthen dega ka arritur shifrën 29. Kjo rritje e aktivitetit i shtyu vëllezërit të kërkonin godina të reja e më të mëdha. a
Kompleksi i ri i degës do të ketë një qendër vizitorësh që do të hapet në fund të vitit 2020. Ajo do të përfshijë disa ekspozita për punën që kryet në degë dhe për historinë e veprës së predikimit në Kamerun, në Guinenë Ekuatoriale dhe në Gabon.
Vëllai Stefan Atoh, anëtar i Komitetit të Degës në Kamerun, komentoi: «Kur u transferuam në godinat e reja e të bukura të degës, na u duk si ëndërr. Jemi të vendosur t’i japim më të mirën Jehovait në këtë ambient pune të mrekullueshëm. Ai ka bërë gjëra të mëdha për ne, ndaj na gufon zemra nga mirënjohja për të.»—Psalmi 145:7.
a Dega e Kamerunit mbikëqyr veprën e predikimit dhe aktivitetin e 667 kongregacioneve në Kamerun, në Guinenë Ekuatoriale dhe në Gabon.