10 TETOR 2022
KAMERUN
Prezantohet botimi i plotë i Përkthimit Bota e Re në gjuhën basa (Kamerun)
Më 1 tetor 2022, vëllai Stefan Atoh, anëtar i Komitetit të Degës në Kamerun, prezantoi Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në basa (Kamerun), në format elektronik. Bibla u prezantua gjatë një programi të regjistruar paraprakisht. Botimi i shtypur është programuar të vihet në dispozicion në prill 2023. Kjo është gjuha e parë vendëse në të cilën Dëshmitarët e Jehovait e kanë përkthyer të plotë Biblën. Më 2019, Dëshmitarët nxorën Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhën basa (Kamerun).
Deri tani ka pasur përkthime të tjera të Biblës së plotë në gjuhën basa (Kamerun). Gjithsesi, këto përkthime janë të rralla, kushtojnë goxha dhe shpesh përdorin shprehje arkaike. Një përkthyes tha: «Falë këtij përkthimi, të interesuarit e kanë më të lehtë të kenë Biblën e tyre. Mund të kuptohet fare kollaj, ngaqë është përkthyer në një gjuhë të thjeshtë dhe të kohës.»
Jemi të kënaqur që tani vëllezërit e motrat që flasin gjuhën basa (Kamerun), e kanë të plotë botimin Përkthimi Bota e Re, të cilin mund ta përdorin si për studimin personal, ashtu edhe në shërbim kur kërkojnë ata që janë të denjë ta dëgjojnë mesazhin e Perëndisë.—Mateu 10:11.