30 GUSHT 2018
KANADA
Gjykata e Lartë e Kanadasë nuk pranon të ndërhyjë te procedura e përjashtimit
Në çështjen Kongregacioni «Hajud» i Dëshmitarëve të Jehovait (Komiteti Gjyqësor) kundër Uollit, Gjykata e Lartë e Kanadasë mori një vendim unanim më 31 maj 2018, ku thuhet se «grupet fetare janë të lira në përcaktimin e rregullave dhe anëtarësimin në grupin e tyre», duke pranuar kështu se gjykata nuk duhet të ndërhyjë në procedurën e përjashtimit.
Gjykata nxori përfundimin se procedurat e Dëshmitarëve për të trajtuar një mëkat të rëndë, «nuk janë armiqësore, por kanë si qëllim ta pranojnë sërish në kongregacion anëtarin», dhe vendosi se gjykatat nuk mund të ndërhyjnë në çështje fetare kaq private.
Në argumentimin e arsyeve të vendimit, Malkolm Rou, gjykatës në Gjykatën e Lartë, shpjegoi në emër të panelit me nëntë gjykatës: «Procedurat dhe rregullat e një grupi të caktuar fetar mund të përfshijnë interpretimin e një doktrine fetare, siç është ky rast. Gjykatat nuk kanë as autoritetin, as njohurinë e as kapacitetin të trajtojnë çështje të debatueshme të doktrinave fetare.»
Filip Bramli, përgjegjës i çështjeve ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, thotë: «Me këtë vendim, Gjykata e Lartë e Kanadasë shprehet njëzëri me gjykatën e lartë të Argjentinës, Brazilit, Hungarisë, Irlandës, Italisë, Perusë, Polonisë dhe të Shtetet e Bashkuara, teksa të gjitha pranojnë të drejtën tonë ligjore për të ndjekur bazën biblike që përcakton se kush kualifikohet të jetë Dëshmitar i Jehovait.»—1 Korintasve 5:11; 2 Gjonit 9-11.