2 PRILL 2019
KAZAKISTAN
Dëshmitarët e Jehovait organizojnë pritje për publikun në Kazakistan
Nga 11 maji deri më 10 nëntor 2018, Dëshmitarët e Jehovait në Kazakistan organizuan pritje për publikun në 7 qytete të vendit. Këto raste u dhanë mundësi zyrtarëve të qeverisë, gazetarëve, pedagogëve dhe publikut të mësojnë për Dëshmitarët e Jehovait. Ishin të pranishëm më shumë se 1.500 veta.
Këto pritje për publikun u mbajtën në Sallat e Mbretërisë në qytetin e Karagandit, të Kustanajit, të Shimkentit, të Taldikorganit, të Oskemenit, të Semejit dhe të Tarazit. Pjesëmarrësit panë stendat që shpjegonin historinë e veprimtarive tona në Kazakistan, që filloi aty nga viti 1892. Gjithashtu, stendat nxirrnin në pah arritjet e kohëve të fundit, si botimi i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kazake më 2014.
Vëlla Bekzat Smagulovi, që punon për Repartin Ligjor dhe për Zyrën e Informacionit për Publikun në degën e Kazakistanit, komenton për dobitë e këtij organizimi: «Njerëzve u pëlqeu shumë ajo që panë dhe i ndihmoi të na njihnin më mirë. Midis vizitorëve kishte zyrtarë nga Departamenti i Çështjeve Fetare dhe gazetarë nga Kazakhstan-Öskemen dhe nga gazetat Rudnyi Altai e Semei Vesti.»
Në pritjen për publikun në Taldikorgan, qendër administrative e rajonit të Alma-Atës, vëllezërit mirëpritën drejtorin e Departamentit të Çështjeve Fetare dhe 2 zyrtarë të këtij departamenti. Mori pjesë edhe kryeredaktori i gazetës Zhetysu Dialog, i cili më vonë publikoi një artikull të bazuar në intervistat me disa vullnetarë që punuan për këtë event.
Përveç kësaj, vëllezërit dhe motrat shpërndanë më shumë se 560 Bibla Përkthimi Bota e Re në gjuhët kazake dhe ruse, gjuhët kryesore të vendit. Jemi shumë të kënaqur me impaktin e këtij organizimi, pasi i jep lavdi Jehovait dhe u jep mundësi njerëzve të shohin ‘veprat tona të shkëlqyera’.—Mateu 5:16.
Në Karagand, motër Sanije Akhmetzhanova flet në gjuhën e shenjave me një çift që nuk dëgjon dhe i shpjegon sa punë bëhet për ata që nuk dëgjojnë, që të mësojnë nga Bibla.
Në Karagand, 2 fëmijë shohin videon Mbrojini fëmijët tuaj në rusisht.
Në Karagand, vëlla Lev Gladishevi u shpjegon historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Kazakistan disa zyrtarëve, si sekretarit të parlamentit vendor, Kudaibergen Beksultanovit; kryespecialistit të Departamentit për Analizimin e Situatës Fetare, Nikolaj Sarsenbajevit dhe drejtorit të Departamentit për Çështjet Fetare të rajonit të Karagandit, Nurlan Bikenovit.
Në Taldikorgan, motër Aisha Jakovleva i shpjegon një çifti disa nga veçoritë e aplikacionit JW Library®.
Vëlla Aleksej Aljoshini u tregon vizitorëve në Taraz se emri i Perëndisë gjendet në vepra letrare dhe në objekte të ndryshme përgjatë historisë.
Në Oskemen, vëlla Sergej Petkeviçi shpjegon historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Kazakistan, duke u treguar një numër të vjetër të Kullës së Rojës në rusisht. Midis vizitorëve ishte dhe drejtori i shoqatës Edinstvo, Sergej Lebedevi.
Në Kustanaj, vëlla Georgij Pismenoj (djathtas) duke folur me një vizitor. Pjesëmarrësit panë filmime nga gjyqi i tre vëllezërve dhe i një motre në Kustanaj më 1982, të cilët u shpallën fajtorë për zotërimin, prodhimin dhe shpërndarjen e botimeve tona, që në atë kohë ishin të ndaluara. Vëlla Pismenoji është një nga tre vëllezërit e burgosur, që u dënua me dy vjet e gjysmë punë të detyruar. Ai foli me vizitorët për kohën që kaloi në burg.
Në Shimkent, vizitorët i mirëpritën me muzikantë që luanin instrumente, ku futet edhe dombra e Kazakistanit (në të majtë dhe në të djathtë).
Vëllezër dhe motra që dolën vullnetarë për të ndihmuar në eventin në Karagand.