Kalo te përmbajtja

Majtas: Gjykata Ushtarake e Republikës së Kazakistanit. Fotografitë e vogla: kopje të vendimeve për refuzimin e shërbimit ushtarak në bazë të ndërgjegjes, nëntor 2023 dhe prill 2024

31 MAJ 2024
KAZAKISTAN

Vendimi historik mbron të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes, në Kazakistan

Vendimi historik mbron të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes, në Kazakistan

Më 23 maj 2024, në Kazakistan hyri në fuqi vendimi për të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes së bazuar në bindjet fetare të individit. Ky vendim kishte të bënte me çështjen e vëllait 20-vjeçar, Danil Smalit, të cilin gjykatësi e quajti si një rast «të jashtëzakonshëm».

Rreth 1 vit më parë, më 17 maj 2023, Danilin e thirrën në zyrën rajonale të rekrutimit. Atje, me respekt u shpjegoi oficerëve bindjet e tij fetare. Gjithashtu u paraqiti edhe një dokument zyrtar që konfirmonte se kualifikohej për t’u përjashtuar nga shërbimi ushtarak për arsye fetare. Gjithsesi, oficerët e zyrës së rekrutimit ia mohuan kërkesën dhe e regjistruan në ushtri. Ditën tjetër, autoritet e detyruan Danilin të hipte në trenin që e çoi në një repart ushtarak rreth 2.000 km larg qytetit të tij, Rudnit. Gjatë kësaj periudhe të vështirë, ai i qëndroi besnik Jehovait, pra nuk bëri betimin, nuk veshi uniformën dhe nuk mori pjesë në stërvitje. Meqenëse disa ankesa që bëri në rrugë zyrtare nuk u morën parasysh, Danili iu drejtua sistemit gjyqësor, me shpresë që çështja të merrte zgjidhje. Kjo çoi në seanca gjyqësore që zgjatën 3 muaj.

Vëlla Danil Smali, para Gjykatës Ushtarake të Garnizonit të Almatit, nëntor 2023

Në fund, më 9 nëntor 2023, Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Almatit vendosi se rekrutimi i Danilit ishte kundra ligjit. Në vendimin e saj, gjykata deklaroi: «Rekrutimi [i Danilit] për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në kundërshtim me bindjet e tij fetare të shprehura qartë, të cilat nuk e lejojnë të kryejë shërbimin ushtarak, shkeli të drejtën e tij për lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë.» Gjykata urdhëroi që Danili të lirohej nga reparti ushtarak ku u mbajt për 6 muaj.

Pak pas vendimit të gjykatës, autoritetet ushtarake e apeluan çështjen. Megjithatë, më 16 prill 2024, Gjykata Ushtarake e Republikës së Kazakistanit, gjykata më e lartë ushtarake, mbrojti vendimin e gjykatës më të ulët. Ky vendim historik që hyri në fuqi më 23 maj 2024, u bazua te ligji ndërkombëtar dhe te Kushtetuta e Kazakistanit, të cilat u garantojnë shtetasve lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes. Gjykata deklaroi me vendosmëri: «Në asnjë lloj rrethane, shteti nuk ka të drejtë të detyrojë një person të veprojë kundër ndërgjegjes së vet.»

Kjo është hera e parë që një gjykatë në Kazakistan ka njohur qartë të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të bindjeve fetare. Vëlla Lev Gladishevi, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Kazakistan, tha: «Jemi të kënaqur që gjykatat e njohën qartë të drejtën ligjore të Danilit për të refuzuar shërbimin ushtarak në bazë të ndërgjegjes. Ky vendim është një precedent i rëndësishëm për përkrahjen dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kazakistan dhe në Azinë Qendrore.»—1 Timoteut 2:1, 2.