Kalo te përmbajtja

22 SHKURT 2018
KAZAKISTAN

Apel autoriteteve të Kazakistanit për të liruar Teimur Ahmedovin

Apel autoriteteve të Kazakistanit për të liruar Teimur Ahmedovin

Familja dhe miqtë e Teimur Ahmedovit janë goxha të shqetësuar për mirëqenien e tij. Z. Ahmedov, Dëshmitar i Jehovait, është 61 vjeç dhe ka pasur probleme shëndetësore edhe para se të burgosej mbi një vit më parë. Më 8 shkurt 2018 ai iu nënshtrua një operacioni për heqjen e dy tumoreve, një prej të cilëve ishte malinj. Familja dhe avokatët e tij u kanë bërë apel autoriteteve që ta lirojnë nga burgu, ngaqë janë të shqetësuar për kushtet e burgut në Pavlodar dhe ngaqë ai ka nevojë për kujdes të mëtejshëm mjekësor. Megjithatë, deri më tani kërkesat e tyre janë shpërfillur.

Gjykatat në Kazakistan e dënuan rëndë Teimur Ahmedovin me 5 vite burg, deri në vitin 2022. Z. Ahmedov nuk bëri asgjë më tepër se sa ushtroi të drejtën e lirisë së fesë, e prapëseprapë autoritetet e arrestuan dhe e ndoqën penalisht. Madje ia kanë vënë emrin në listën e atyre që u janë bllokuar llogaritë bankare për shkak të lidhjeve të supozuara me terrorizmin. Gjykatat e Kazakistanit i kanë hedhur poshtë të gjitha kërkesat.

Grupi i Punës i OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare i dërgoi opinionin e vet qeverisë së Kazakistanit, duke u bërë thirrje autoriteteve ta lironin z. Ahmedov dhe ta shfajësonin nga akuzat e rreme. Përveç kësaj, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut kërkoi urgjentisht që Kazakistani ta lironte nga burgu për shkak të shëndetit të tij të dobët.

Avokati i z. Ahmedov deklaroi: «Burgimi i padrejtë i Teimurit, shëndeti i tij i dobët dhe nevoja për kujdes mjekësor, thërrasin për drejtësi. Njësoj si agjencitë e OKB-së, u bëjmë apel autoriteteve të Kazakistanit që të tregohen të mëshirshme dhe ta lirojnë sa më shpejt nga burgu Teimurin.»