18 PRILL 2018
KAZAKISTAN
Teimur Ahmedovi falet nga presidenti
Më 2 prill 2018 presidenti i Kazakistanit Nursultan Nazarbajevi fali 61-vjeçarin Teimur Ahmedov, i burgosur prej më se një viti nën akuza të sajuara. Falja pastroi dosjen e tij penale. Më 4 prill, kur gjendej në spital duke marrë veten pas një operacioni, z. Ahmedov mori vesh se ishte falur dhe nuk ishte më nën arrest. Tani ai është ribashkuar me familjen dhe e ka më të lehtë të marrë trajtimin e domosdoshëm mjekësor për të luftuar kancerin.
Arrestimi, paraburgimi dhe burgosja e padrejtë
Z. Ahmedov, i cili është Dëshmitar i Jehovait, u arrestua dhe u burgos më 18 janar 2017, vetëm sepse kishte folur me të tjerët për bindjet e tij fetare. Për disa muaj para arrestimit, ai kishte folur për Biblën me disa burra që ishin shtirur sikur donin të dinin më shumë për bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Në të vërtetë, këta burra po bashkëpunonin me policinë sekrete të Kazakistanit, Komitetin e Sigurimit Kombëtar (KNB), dhe kishin filmuar fshehtas bisedat. Nisur nga këto filmime, KNB-ja e arrestoi z. Ahmedov dhe, sipas nenit 174/2 të Kodit Penal të Kazakistanit, e akuzoi se «nxiste përçarje fetare» dhe se ‘shpallte që ishte superior për shkak të fesë’.
Pas arrestimit, policia e mori në pyetje z. Ahmedov dhe e la për tre muaj në paraburgim. Më 2 maj 2017 gjykata e dënoi me pesë vite burg dhe tri vite të tjera ndalim të veprimtarisë së tij fetare.
Avokatët e z. Ahmedov paraqitën kërkesa të shumta për lirimin e tij, megjithatë gjykata i hodhi poshtë të gjitha. Pasi nuk gjeti më zgjidhje ligjore në Kazakistan, ai iu drejtua për ndihmë gjykatave ndërkombëtare dhe ia paraqiti ankesën Grupit të Punës të OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare (GPBA) dhe Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Në tetor 2017 GPBA-ja e dënoi Kazakistanin për burgosjen e z. Ahmedov dhe i bëri thirrje qeverisë ta lironte menjëherë, duke qenë se veprimet e tij ishin «tërësisht paqësore dhe brenda kufijve të lirisë së fesë». Në janar 2018 Komiteti për të Drejtat e Njeriut pranoi kërkesën urgjente të z. Ahmedov dhe urdhëroi që, si masë të përkohshme, Kazakistani të ndërmerrte hapa të menjëhershëm për t’i siguruar trajtimin e duhur mjekësor. Gjithashtu, Komiteti për të Drejtat e Njeriut i rekomandoi Kazakistanit të shqyrtonte lirimin nga burgu të z. Ahmedov, derisa të merrej një vendim përfundimtar për ankesën e tij.
Më në fund i lirë!
Shëndeti i z. Ahmedov vazhdoi të përkeqësohej gjatë kohës që ishte në burg. Në fillim të këtij viti, mjekët e informuan se kishte kancer në zorrën e trashë dhe se shëndeti po keqësohej. Pas vendimit që mori Komiteti për të Drejtat e Njeriut për masa të përkohshme dhe pas kërkesave nga organizma ndërkombëtarë, autoritetet e Kazakistanit e ftuan z. Ahmedov t’i paraqiste një kërkesë për falje presidentit Nazarbajev.
Më 5 mars 2018 ai paraqiti kërkesën për falje dhe kërkoi që ajo të shqyrtohej urgjentisht, meqë kishte nevojë të menjëhershme për trajtim mjekësor që të ndalonte përhapjen e kancerit. Ndërkohë autoritetet e burgut e transferuan z. Ahmedov në një qytet tjetër të Kazakistanit, në Alma-Atë, ku më 27 mars 2018 iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
A do të tregojë më tepër respekt për lirinë e fesë Kazakistani?
Z. Ahmedov bashkë me të shoqen, Mafizën, dhe me fëmijët e tyre janë të lumtur që peripecitë e tij morën fund. Gjithashtu i janë mirënjohës presidentit Nazarbajev që pastroi dosjen e tij penale. Për shkak të dënimit të paligjshëm si kriminel, qeveria i kishte konfiskuar z. Ahmedov llogarinë bankare e kjo kishte krijuar goxha vështirësi për të shoqen gjatë kohës që ai ishte në burg.
Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën shpresojnë që falja e z. Ahmedov të jetë shenjë se autoritetet e Kazakistanit do t’u japin më shumë liri Dëshmitarëve që të adhurojnë paqësisht e nuk do t’i pengojnë.