Kalo te përmbajtja

6 KORRIK 2017
KAZAKISTAN

Kazakistani pezullon aktivitetin e Selisë Kombëtare të Dëshmitarëve

Kazakistani pezullon aktivitetin e Selisë Kombëtare të Dëshmitarëve

Më 29 qershor 2017 një gjykatë në Alma-Atë, Kazakistan, gjobiti Qendrën e Krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait në Kazakistan (Qendra) dhe pezulloi për tre muaj gjithë aktivitetin e saj. Vendimi i gjykatës bazohet në një inspektim nga i cili pretendohet se Qendra ka nevojë për 3 kamera të tjera sigurie, përveç 25 kamerave të instaluara, që të jetë në përputhje me legjislacionin për vendet publike. Gjithsesi, më 6 shkurt 2017 autoritetet shtetërore e kishin miratuar tashmë një plan zyrtar për pronën e Qendrës, ku tregohej vendndodhja e të gjitha kamerave të sigurisë të instaluara. Duke miratuar këtë plan zyrtar, autoritetet konfirmuan se Qendra po e zbatonte plotësisht legjislacionin përkatës.

Polat Bekzhani, drejtues i Qendrës, tha: «Vendimi për të pezulluar gjithë aktivitetet e Qendrës, është një dënim shumë i madh në krahasim me shkeljen e pretenduar. Po e apelojmë këtë vendim, i cili duket se nxitet nga intoleranca fetare.»

Autoritetet ndërhyjnë në aktivitetet e Qendrës

Organet e ruajtjes së rendit po e përshkallëzojnë ngacmimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Kazakistan. Para vendimit të 29 qershorit nga gjykatësi N. M. Pakirdinov i Gjykatës Administrative Ndërkrahinore të Specializuar, autoritetet bastisën Qendrën më 17 maj me pretekstin se po kryenin një inspektim për sigurinë. Bastisja u bë në mes të ditës nga Shërbimet e Sigurimit Kombëtar të Shtetit (që më parë njihej si KGB-ja) dhe nga më tepër se 30 policë, përfshirë disa agjentë të repartit SWAT të maskuar e të armatosur me mitralozë të lehtë. Thanë se po zbatonin një urdhër për të inspektuar vendet publike për të garantuar sigurinë para aktivitetit Ekspo 2017, i cili filloi në qershor të 2017-s në kryeqytetin e Astanës.

17 maj 2017, bastisja e Qendrës

Më 23-25 qershor 2017 Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një kongres special treditor, ku morën pjesë delegatë nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, Ukraina, Gjeorgjia, Kirgizistani dhe nga vende të tjera. Megjithatë, para kongresit, autoritetet ndërhynë te kontratat për ambientet e kongresit, të cilat u anuluan. Si rrjedhojë, 1.500 delegatët u mblodhën me Dëshmitarët vendës në ambientet e Qendrës për këtë rast fetar.

23 qershor 2017, policia pengon delegatët e kongresit nga vende të tjera

Dy ditët e para të kongresit, me pretekstin se po kontrollonte dokumentet e shoferëve të autobusëve, policia ndaloi për dy orë 11 autobusë, si edhe 500 delegatë të huaj në hotelet e tyre. Ditën e dytë, sërish me pretekstin se po kontrollonte dokumentet e shoferëve, policia ndaloi deri në tre orë te hotelet 20 autobusë me 900 delegatë.

Qendra bëri një ankesë për këtë pranë Zyrës së Prokurorit të Alma-Atës. Megjithëse zyra e prokurorit nuk reagoi, policia i la të qetë Dëshmitarët ditën e tretë të kongresit. Gjithsesi, vetëm katër ditë pas kongresit, gjykata administrative në Alma-Atë nxori vendimin për të pezulluar aktivitetet e Qendrës.

Kurdisin probleme me anë të ligjit

Që nga dhjetori i 2012-s qeveria e Kazakistanit e ka kufizuar gjithnjë e më shumë lirinë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë vendin. Qeveria u ka vënë gjoba të mëdha më se 60 Dëshmitarëve të Jehovait për «aktivitet misionar» të paregjistruar.

Në janar të 2017-s autoritetet në Kazakistan ngritën padi penale ndaj dy Dëshmitarëve të Jehovait ngaqë u flisnin të tjerëve për bindjet e tyre fetare. Në maj, Teimur Ahmedovi u dënua me pesë vite burg për aktivitet fetar. Policia po heton edhe një Dëshmitar tjetër nën akuzën se nxit urrejtje fetare ngaqë ofroi një botim fetar që autoritetet ruse e kishin ndaluar si «ekstremist».

A do t’i trajtojë Kazakistani Dëshmitarët e Jehovait si Rusia?

Dëshmitarët janë takuar shumë herë me Komitetin për Çështjet Fetare që të diskutonin për të drejtën e tyre për të adhuruar lirisht, por pa sukses. Megjithatë, me nismën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm (ZPP), Gjykata e Lartë e Kazakistanit shqyrtoi çështjen e Andrei Koroljovit, një Dëshmitari të Jehovait që ishte dënuar ngaqë fliste publikisht për bindjet e tij fetare. Në vendimin e 1 qershorit 2017, Gjykata i hodhi poshtë akuzat ndaj z. Koroljov, duke pranuar se shprehja paqësore e bindjeve në publik përfshihet tek e drejta e lirisë së fesë. Ndonëse ZPP-ja i ka siguruar Dëshmitarët se do t’ua përcjellë institucioneve këtë vendim të favorshëm, deri më sot gjykatat e shkallëve të ulëta s’kanë pranuar ta zbatojnë vendimin dhe i kanë dënuar sërish Dëshmitarët e Jehovait për të ashtuquajturin «aktivitet misionar të paregjistruar».

Gregori Aleni, këshilltar për çështjet ligjore i Dëshmitarëve të Jehovait, tha: «Është për të ardhur shumë keq që Kazakistani po imiton Rusinë duke përdorur akuza të pabaza për të cenuar të drejtën e lirisë së fesë të njohur në mbarë botën. Kemi frikë se pas vendimit të 29 qershorit që pezullon aktivitetin e Qendrës fshihen shumë gjëra, dhe, nëpërmjet apelimit ndaj kësaj ndërhyrjeje, kërkojmë që të triumfojë drejtësia.»

Nisur nga zhvillimet e fundit, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën janë në merak se mos gradualisht autoritetet po i ndalojnë bashkëbesimtarët në Kazakistan, njësoj si në Rusi.