Kalo te përmbajtja

6 QERSHOR 2018
KAZAKISTAN

441 ditë burg—Intervistë me Teimur dhe Mafiza Ahmedovin

441 ditë burg—Intervistë me Teimur dhe Mafiza Ahmedovin

Vëlla Teimur Ahmedovi u lirua nga burgu më 4 prill 2018, pas faljes zyrtare nga presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbajevi. Ai ndenji në burg për 441 ditë. Autoritetet e arrestuan vetëm sepse u fliste të tjerëve për bindjet e tij fetare.

Pak pasi doli nga burgu, Zyra e Informacionit Publik (ZIP) në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork, foli me Teimurin dhe me të shoqen, Mafizën, që tani janë kthyer në shtëpinë e tyre në Astanë, kryeqyteti i Kazakistanit. Kjo është intervista e përmbledhur, e korrektuar, që të jetë sa më e qartë.

ZIP: Si fillim duam të të njohim më mirë vëlla Ahmedov. Kur u bëre Dëshmitar i Jehovait?

Teimur Ahmedovi: U pagëzova më 9 tetor 2005. Para se të mësoja të vërtetën, isha ateist. Për shumë vjet nuk besoja as në Zot dhe as në fe. Më vonë, kur ime shoqe filloi të studionte, u bëra kureshtar se për çfarë fliste me Dëshmitarët. Rrija prapa derës dhe përgjoja bisedat e tyre.

Më tërhoqi ajo që po mësonte, sepse ishin vetëm gjëra të mira. Me kalimin e kohës më prezantuan me vëlla Veslavin, nga Polonia, por që jetonte në Kazakistan. Herën e parë që u takuam, i thashë: «Kam vetëm një pyetje. Po më pëlqeu përgjigjja, do të bëhemi shokë dhe do t’i vazhdojmë bisedat. Ama, po s’më pëlqeu, mos të të mbetet qejfi, por nuk do të takohemi më.» Pastaj e pyeta vëlla Veslavin se çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin. Ai hapi Biblën tek Eklisiastiu 9:5, dhe tha: «Lexoje dhe do të marrësh përgjigje.» Kur lexova atë varg, e kuptova se kjo ishte e vërteta. Rashë dakord të takoheshim prapë dhe të studionim Biblën.

Pra, studiove Biblën dhe u pagëzove në 2005-n.

Tani le të flasim për ngjarjet para arrestimit. Në maj të 2016-s takove disa burra që pretendonin se ishin të interesuar për bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Brenda disa muajsh u takuat disa herë dhe folët për Biblën. Kur mendon për ato biseda, a të kujtohet nëse thanë a bënë diçka që t’u duk e dyshimtë?

Teimuri: Po. U shpjegova se zakonisht këto studime biblike nuk bëhen në grup, por individualisht. Sugjerova të studionin veç e veç, por asnjëherë nuk pranuan dhe thanë se u pëlqenin diskutimet në grup. Gjithashtu, herë pas here ftonin edhe të tjerë në studim dhe kërkonin të përsëritja çfarë kishim biseduar herën e kaluar.

Mafiza Ahmedovi: Një herë shkova edhe unë në studimin e tyre të Biblës. Vura re se flitnin për fe të tjera, edhe pse kishin ca kohë që studionin. Më ra në sy edhe se apartamenti ku jetonin, kushtonte shumë më tepër nga ç’ua mban xhepi shumicës së studentëve. U thashë se jetonin goxha mirë për të qenë studentë. Ishte e qartë se fjalët e mia i bezdisën. Kur po largoheshim, e morën Teimurin mënjanë dhe i thanë të mos më merrte më në studim.

Kur e zbulove se burrat me të cilët po studioje, nuk ishin të interesuar për bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait, por punonin për policinë sekrete të Kazakistanit, Komitetin e Sigurimit Kombëtar (KSK)?

Teimuri: Vetëm gjatë seancës dëgjimore mora vesh se bashkëpunonin me KSK-në.

Si reagove kur të arrestuan dhe të akuzuan se «nxitje përçarje fetare» dhe se shpallje «superioritetin e qytetarëve bazuar [te feja]»?

Teimuri: Të them të drejtën, kur më arrestuan, mendova se do të më shoqëronin në rajonin e policisë për të sqaruar çështjen dhe do të më lironin, siç më thanë. Isha gati të mbroja veten dhe të shpjegoja se për çfarë kisha folur me ta.

Ngjarjet morën një kthesë që më zuri në befasi, por nuk më frikësoi. U habita shumë nga akuzat për nxitje të urrejtjes fetare dhe për ekstremizëm. Dëshmitarët e Jehovait flasin me të tjerët për Jehovain dhe kurrë nuk kanë nxitur urrejtje e përçarje. Isha plotësisht i bindur se nuk kisha faj dhe se Jehovai do të më ndihmonte. Nuk e mohoj se isha i shqetësuar, por solla ndër mend këshillën e Biblës «hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të [Jehovain], sepse ai interesohet për ju».—1 Pjetrit 5:7.

Pasi qëndrove në paraburgim për më tepër se tre muaj, më 2 maj 2017 një gjykatë krahinore në Astanë të dënoi me pesë vite burg dhe të ndaloi të merrje pjesë në veprimtari arsimimi biblik për tre vjet. Si u ndjeve pas vendimit?

Teimuri: Kur gjykata shpalli vendimin, e pranova realitetin: do ta kryeja të plotë dënimin po të ishte e nevojshme. I thashë vetes: «Nëse kjo është një sprovë, me siguri që Jehovai e ka nën kontroll sa do të zgjatë.» Isha i vendosur të prisja aq sa duhej.

Burgu në qytetin e Pavlodarit, Kazakistan, ku ishte burgosur vëlla Ahmedovi

Kur ishe në burg, po vuaje edhe nga një sëmundje serioze, apo jo?

Teimuri: Ashtu është. Edhe para se të burgosesha, po kurohesha për këtë sëmundje. Por, pas arrestimit nuk po kurohesha dot më dhe sëmundja filloi të përparonte.

Mafiza, si u ndjeve ti gjatë kësaj kohe?

Mafiza: Isha e tmerruar dhe shumë e mërzitur. Pasi u burgos Teimuri, e kisha të vështirë të merrja vendime, sepse s’ishim ndarë asnjëherë nga njëri-tjetri gjatë 38 viteve martesë. Mirëpo, Teimuri më dha zemër e më tha: «Mos ki merak! Jehovai do t’i zëvendësojë këto 5 vite ndarje me 25 vite të tjera bashkë – madje këtu, në këtë sistem!»

Çfarë të ndihmoi tjetër gjatë kohës që yt shoq ishte në burg?

Mafiza: Vëllezërit dhe motrat m’u gjendën vërtet pranë. Kur Teimurin e futën në burg, sinqerisht mendova se të gjithë do të kishin frikë të më vinin në shtëpi, për shkak të rrethanave që kishin çuar në arrestimin e Teimurit. KSK-ja vëzhgonte shtëpinë dhe gjërat që bënim.

Pastaj një ditë erdhi për vizitë një plak kongregacioni me të shoqen. M’u bë zemra mal. Kur i pyeta «po ju, s’keni frikë që erdhët?», ata m’u përgjigjën «pse të kemi frikë? Në këto kohë, nëse autoritetet duan, edhe nëpërmjet telefonave na gjurmojnë. Prandaj, po e patën ndër mend, na gjejnë fare kollaj».

Në një vizitë baritore, pleqtë më inkurajuan të mos e lejoja këtë sprovë të më vinte poshtë, si dhe të forcoja besimin e marrëdhënien me Jehovain.

Po ty, Teimur, çfarë të ndihmoi të përballoje këtë sprovë dhe të mbaje një qëndrim pozitiv?

Vëlla Ahmedovi i prangosur në një shtrat spitali pak para se të lirohej. Edhe pse fillimisht iu mohua kujdesi mjekësor, kur shëndeti iu përkeqësua, autoritetet e lejuan të kurohej

Teimuri: Lutjet. S’kalonte ditë pa iu lutur Jehovait për drejtim, kuptueshmëri dhe forcë që të ruaja gëzimin dhe besnikërinë gjatë kësaj sprove. E dalloja fare qartë si u përgjigjej lutjeve të mia. Ai m’u bë krah dhe, ndonëse isha në burg, nuk ndihesha vetëm.

Edhe leximi i Biblës më ndihmoi. Në një prej burgjeve kisha mundësi ta lexoja Biblën në çdo kohë. Në një burg tjetër në bibliotekë kishte një Bibël, të cilën mund ta lexoja një herë në javë.

Gjithashtu sillja ndër mend fjalët e vëllait që kishte studiuar me mua. Ai më thoshte se nuk duhet t’u frikësohemi sprovave. Më kujtohet që e pyeta: «Pse nuk duhet të kemi frikë? Po sikur sprova të jetë e vështirë dhe e frikshme?» M’u përgjigj se Jehovai nuk do të lejojë të sprovohemi përtej asaj që mund të mbajmë dhe se do të na japë forcë të kapërcejmë çdo sfidë. (1 Korintasve 10:13) Në burg nuk i harrova kurrë këto mendime nga Shkrimet.

Si u ndjeve kur more vesh se e gjithë vëllazëria e dinte situatën tënde dhe se vëllezërit e motrat në mbarë botën po luteshin për ty?

Teimuri: Pa diskutim ndjeva dorën e Jehovait, pasi kjo është organizata e Tij. Më dha sigurinë se nuk isha i braktisur dhe se një ditë Jehovai do të më shpëtonte.

Më e bukura është se burgu ishte pikërisht gjëja që më frikësonte më shumë. I kisha tmerr burgjet. Kur lexoja për vëllezërit nëpër burgje, lutesha: «O Jehova, të lutem, pranoj çdo gjë, vetëm burgun jo!» Por, njëkohësisht kisha një dëshirë të fortë t’u flitja për të vërtetën të burgosurve. Kur pyeta për dëshminë në burg, vëllezërit më shpjeguan se në Kazakistan nuk kishim leje të predikonim në burgje. Ndaj, para se të burgosesha, kisha ndjenja kontradiktore. Nga njëra anë kisha frikë, nga ana tjetër, ëndrra ime për t’u predikuar të burgosurve po bëhej realitet.

A pate mundësi të predikoje kur ishe në burg?

Teimuri: Po. Në një rast më thirri një oficer që donte të fliste me mua. Kur hyra në zyrën e tij, më tha: «E di që je Dëshmitar i Jehovait, kështu që as mos e ço ndër mend të më predikosh!» Unë ia ktheva: «Nuk po mendoja t’ju predikoja.» Pastaj më pyeti: «Si e ka emrin Zoti?» Iu përgjigjja: «Perëndia e ka emrin Jehova.» Ai vazhdoi: «Atëherë kush na qenka Jezui? A nuk është Zoti?» «Jo,—i thashë—është biri i Perëndisë.» Pastaj më pyeti: «Po pse ortodoksët besojnë se ai është Zoti?» Iu përgjigja: «Për këtë duhet të pyesësh ata.»

Në herë tjetër fola me 40 a më shumë veta në të njëjtën kohë. Në burg kishte ardhur një psikologe për të takuar të burgosurit. Po flitnim për martesën kur ajo pyeti se çfarë mendonim për poligaminë. Secili mund të shprehte mendimin e vet.

Kur më erdhi radha mua, u shpreha se nuk kisha një mendim timin, por më pëlqente shumë mendimi i dikujt tjetër dhe doja t’ia tregoja. Pastaj i thashë: «Ja përse burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» (Zanafilla 2:24) Psikologia më pyeti: «Mendimi i kujt është ky?» Iu përgjigjja: «I Perëndisë Jehova, i cili krijoi njerëzimin. Flet vetëm për dy njerëz, jo më shumë.»

Pas kësaj më pyeti: «Ke ndonjë arsye tjetër pse mendon se një burrë duhet të ketë vetëm një grua?» Citova Mateun 7:12: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» I shpjegova se këto ishin fjalët e Jezuit dhe, po të donte, mund të pyeste burrat në atë sallë nëse do t’u pëlqente që gratë e tyre të kishin burra të tjerë. Nëse një burrë nuk do që e shoqja të ketë një burrë tjetër, pa dyshim që as një grua s’do që i shoqi të ketë disa gra.» Psikologia u shpreh se nga të gjitha përgjigjet, imja i pëlqeu më shumë.

Sa inkurajuese që, pavarësisht nga rrethanat e vështira, gjete mundësi të predikoje.

Pasi gjykatat i refuzuan disa herë radhazi kërkesat për lirimin tënd, përfshirë njërën drejtuar Gjykatës së Lartë të Kazakistanit, nga pikëpamja ligjore dukej se s’kishte më zgjidhje.

Megjithatë t’u ofrua mundësia të dilje nga burgu po të firmosje një deklaratë rrëfimi. Na shpjego pak për çfarë bëhej fjalë dhe pse nuk pranove të firmosje?

Teimuri: Ma ofruan disa herë mundësinë të firmosja këtë deklaratë. Edhe pse dukej gjest dashamirës, faktikisht ishte një dokument ku pranoja se isha fajtor për akuzat dhe kërkoja të falur për veprimet e mia. Më vonë më ofruan mundësinë të shkruaja vetë një letër ku pranoja fajin dhe kërkoja falje. Autoritetet më sugjeruan të shkruaja se kisha gabuar që u kisha folur të tjerëve për bindjet e mia, se më vinte keq për atë që kisha bërë dhe se kërkoja të lirohesha për shkak të shëndetit.

Nuk pranova të bëja asnjë deklaratë të tillë dhe u thashë autoriteteve se më mirë në burg me ndërgjegje të pastër, sesa i lirë me ndërgjegje të vrarë.

Të çmojmë vërtet që tregove besim dhe nuk bëre kompromis me ndërgjegjen tënde.

Megjithatë, ngjarjet morën një kthesë të papritur. Të lutemi, a mund të na tregosh si e more vesh se të kishin falur dhe se do të liroheshe nga burgu?

Teimuri: Një ditë në qeli erdhi një rojë dhe më njoftoi se më kërkonin në telefon. Më kujtohet që thashë me vete: «Më kërkojnë në telefon?» Kur ngrita receptorin, dëgjova zërin e një gruaje e cila, pasi u prezantua, më tha se po vinte të më nxirrte nga burgu. S’dija si të reagoja. Kur mbarova telefonatën me të, vendosa t’i jepja lajmin djalit, meqë nuk doja të tronditja gruan ose t’i jepja shpresa të kota.

Kur mbylla telefonatën, roja më pyeti: «Çfarë të thanë?» Iu përgjigja se dikush po bënte ndonjë shaka meqë gruaja që më telefonoi, më tha se po vinte të më lironte nga burgu.

Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, me Teimur dhe Mafiza Ahmedovin pak pasi vëlla Ahmedovi u lirua nga burgu

Roja ma ktheu se nuk ishte aspak shaka dhe se kjo grua po vinte vërtet të më nxirrte nga burgu.

Mafiza, si e prite ti këtë lajm emocionues?

Mafiza: Kur më tregoi djali, edhe unë mendova se ishte shaka. Kishim kaq shumë kohë që e pritnim një lajm të tillë!

Vetëm sa mund ta imagjinojmë si duhet të jeni ndier kur u ribashkuat mbi një vit pas arrestimit të Teimurit.

Tani që e gjithë kjo kaloi, çfarë mësuat nga kjo sprovë besimi?

Mafiza: Kujtoj që qaja për situatën e vëlla Bahram [Hemdemovit] dhe [motër] Gulzira Hemdemovit. [Autoritetet turkmene e arrestuan vëlla Hemdemovin në mars 2015. Më 19 maj 2015 e dënuan me katër vite burg me akuza të sajuara për «nxitje të urrejtjes fetare» dhe akoma nuk është liruar.] Edhe para se të arrestohej Teimuri, mendoja për situatën e vështirë të Gulzirës. Tani do të doja ta përqafoja dhe t’i thosha se e dua e shumë dhe se ka mbështetjen time. Meqë e kalova këtë vështirësi me Teimurin, do të doja t’i thosha se e kuptoj sa po vuan. E di se po mbështetet te Jehovai dhe te vëllezërit, siç bëra unë.

U jam tejet mirënjohëse të gjithë vëllezërve që na përkrahën, vëllezërve në kongregacionin tonë dhe në tërë botën, Trupit Udhëheqës, avokatëve dhe çunave tanë!

Vëlla Ahmedovi me dokumentin e faljes pasi u lirua nga burgu

Teimuri: Mund të them vetëm diçka: gjithkush do të sprovohet. S’diskutohet, jo gjithkush do të sprovohet duke u burgosur. Disa mund të përndiqen nga ndonjë familjar jobesimtar. Të tjerë mbase e kanë të vështirë të shkojnë mirë me ndonjë vëlla a motër në kongregacion. Pavarësisht nga sfida a sprova, secili nga ne duhet të bëjë një zgjedhje: t’u përmbahet parimeve të Perëndisë ose t’i shpërfillë. Po t’u përmbahemi parimeve, mund t’ia dalim mbanë kur sprovohemi. Gjëja më e mirë është t’i pranojmë sprovat dhe të mos harrojmë se Jehovai do të na japë forcë t’i përballojmë.

Falënderoj me gjithë shpirt familjen dhe çunat, që më mbështetën. Ata shfrytëzuan çdo rast që të më vizitonin dhe kjo më dha forcë.

Gjithashtu dua të falënderoj vëllazërinë për gjithë sa bënë për mua. U jam mirënjohës që u lutën për mua dhe që më dërguan letra zemërdhënëse. Nuk u ndieva vetëm për as edhe një minutë. Kjo që kalova, më ka rritur dashurinë për vëllazërinë dhe më ka forcuar miqësinë me Jehovain.