Kalo te përmbajtja

17 JANAR 2018
KAZAKISTAN

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Kazakistanit të veprojë në favor të Teimur Ahmedovit

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje Kazakistanit të veprojë në favor të Teimur Ahmedovit

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut i është përgjigjur menjëherë ankesës së paraqitur në emër të Teimur Ahmedovit më 3 janar 2018. Z. Ahmedov, i cili është 61 vjeç dhe ka probleme shëndetësore, po mbahet padrejtësisht në burg prej pothuajse një viti. Meqë gjykatat e Kazakistanit hodhën poshtë apelimet e tij dhe lanë në fuqi dënimin për të ashtuquajturën veprimtari fetare të jashtëligjshme, z. Ahmedov iu drejtua për ndihmë Komitetit.

Në një komunikatë të datës 9 janar 2018, Komiteti i bëri thirrje Kazakistanit që sa më shpejt të merrte masa të përkohshme për mirëqenien e z. Ahmedov, madje përpara se Komiteti të marrë një vendim për ankesën. Ai nxiti autoritetet që «të sigurohen, pa vonesë, që [z. Ahmedov] të marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe që kushtet e tij të burgimit të përputhen plotësisht me [Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike] dhe me standardet ndërkombëtare». Më tej, nëpërmjet kësaj komunikate, autoriteteve u kërkohet që «të shqyrtojnë mundësinë e lirimit [të tij] nga burgu për shkak të gjendjes shëndetësore ose ta kalojnë në arrest shtëpie derisa ankesa e tij të shqyrtohet nga Komiteti».

Kërkesa për këto masa rithekson merakun për mirëqenien e z. Ahmedov, siç tregohej edhe në vendimin e Grupit të Punës të OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare. Në tetor 2017 Grupi i Punës shqyrtoi një ankesë nga z. Ahmedov dhe vendosi se ai është burgosur arbitrarisht dhe se autoritetet duhet ta lirojnë e ta kompensojnë për trajtimin e padrejtë. Edhe pse Grupi i Punës i dënoi veprimet e qeverisë së Kazakistanit, deri tani kjo e fundit e ka shpërfillur këtë gjë. Z. Ahmedov ka bërë tashmë një vit burg nga dënimi i tij pesëvjeçar.