Kalo te përmbajtja

27 JANAR 2015
KAZAKISTAN

Bibla e re në gjuhën kazake dhe një pritje për publikun

Bibla e re në gjuhën kazake dhe një pritje për publikun

Gerrit Lëshi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, prezanton Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën kazake.

ALMA-ATË, Kazakistan—Në kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait, që u mbajt më 26-28 shtator 2014, u prezantua në gjuhën kazake Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Të 3.721 të pranishmit morën nga një kopje të Biblës së re.

Dr. Alexander Garkavets, specialist i filologjisë turanike komentoi për Përkthimin Bota e Re në gjuhën kazake: «Pavarësisht nga burimet e pakta për përkthimin e teksteve të shenjta në gjuhën kazake, përkthyesit Dëshmitarë kanë bërë një punë të mahnitshme. Meritojnë të lavdërohen për mënyrat e reja si i kanë shprehur në gjuhën kazake idetë e tekstit bazë. Përkthimi Bota e Re pasqyron gjuhën bashkëkohore, ndaj është i lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë.»

Pritje për publikun: Dëshmitarët ngritën një yurt (tendë nomade tradicionale) ku u shërbyen pije freskuese dhe ushqim.

Javën pas kongresit, më 3 tetor, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Kazakistan organizoi një pritje për publikun dhe ekspozoi Biblën e re në gjuhën kazake. Agjencia e lajmeve, Radio Azattyq, me qendër në Kazakistan, raportoi për këtë rast: «Qendrën e vizituan zyrtarët e Akimatit (administrata rajonale shtetërore) të qytetit Alma-Atë, të kryesuar nga kreu i Departamentit për Çështjet Fetare z. Nurzhan Zhaparkul, si edhe përfaqësues të misioneve të huaja diplomatike, ekspertë në fushën e studimeve fetare dhe të tjerë.» Z. Zhaparkul komentoi: «Në qendrën e tyre në Alma-Atë, Dëshmitarët e Jehovait u treguan shumë mikpritës dhe të hapur. Kjo iniciativë është vërtet për t’u lavdëruar dhe na ndihmon goxha në punën tonë.»

Nurzhan Zhaparkul (në qendër), kreu i Departamentit për Çështjet Fetare dhe të tjerë nga Komiteti për Çështjet Fetare, vizitojnë zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait gjatë pritjes për publikun.

Ftesat e pritjes për publikun që u shpërndanë në Alma-Atë.

Polat Bekzhan, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Kazakistan, tha: «U kënaqëm jashtë mase me interesin që treguan njerëzit për këtë kongres dhe me mënyrën si u prit Bibla në gjuhën kazake nga komuniteti gjithnjë e në rritje i kësaj gjuhe. Gjithashtu, u arrit dhe synimi që të organizonim pritjen për publikun, duke u dhënë mundësinë zyrtarëve qeveritarë, medias dhe fqinjëve tanë t’i njihnin më mirë Dëshmitarët e Jehovait

Zëdhënësi(t) për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Kazakistan: Polat Bekzhan, tel. +7 727 232 36 62