Kalo te përmbajtja

3 MAJ 2017
KAZAKISTAN

Kazakistani shkel lirinë fetare dhe shpall fajtor Teimur Ahmedovin

Kazakistani shkel lirinë fetare dhe shpall fajtor Teimur Ahmedovin

Më 2 maj 2017 një gjykatë në qytetin e Astanës dënoi Teimur Ahmedovin me pesë vjet burg vetëm sepse u kishte folur të tjerëve për bindjet e tij fetare. Që nga 1991-shi, vit kur vendi shpalli pavarësinë, ai është i pari Dëshmitar i Jehovait në Kazakistan i cili dënohet për veprimtaritë e tij fetare.

Z. Ahmedov ka qëndruar për më se tre muaj në paraburgim, pavarësisht nga përpjekjet ndërkombëtare për ta kaluar në arrest shtëpie derisa të dilte në gjyq. Ai është 61 vjeç, i martuar, baba i tre djemve dhe ka probleme shëndetësore.

Ndëshkohet sepse ushtron lirinë fetare

Peripecitë e z. Ahmedov nisën në janar 2017 kur policia sekrete e Kazakistanit, Komiteti i Sigurimit Kombëtar (KNB), e arrestoi me akuzën se kishte shkelur nenin 174/2 të Kodit Penal të Kazakistanit. KNB-ja e akuzoi se «nxiste . . . urrejtje fetare» ngaqë fliste me të tjerët për besimin e tij.

Gjykatësi Talgat Serlibaiv vendosi se z. Ahmedov ishte fajtor për «nxitje të përçarjes fetare» dhe për përhapje «të propagandës së ekskluzivitetit dhe të superioritetit të qytetarëve bazuar te feja e tyre». Gjithashtu, gjykatësi vendosi që për tre vjet z. Ahmedov të mos marrë pjesë në «veprimtari ideologjike fetare», duke e ndaluar kështu të adhurojë Perëndinë.

Filip Bramli, kryekëshilltar për çështjet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, u shpreh: «Autoritetet po e keqpërdorin tërësisht ligjin. Në 2016-n disa burra e ftuan Teimurin në një shtëpi për të folur për bindjet e tij fetare. Madje shkuan edhe në shtëpinë e tij. Por, Teimuri nuk e dinte që këto biseda po regjistroheshin e më vonë do të përdoreshin për të sajuar akuza penale kundër tij. Kjo tregon se ç’janë në gjendje të bëjnë autoritetet që t’i shtypin e t’i quajnë të paligjshme veprimtaritë fetare paqësore. Kështu po shtrembërohet drejtësia.»

Për më tepër, familja e z. Ahmedov është shumë e shqetësuar për shëndetin e tij, meqë ai vuan nga një tumor që shkakton hemorragji (dyshohet për kancer). Megjithatë, autoritetet i kanë refuzuar kërkesat për ta kaluar në arrest shtëpie dhe nuk i kanë siguruar trajtimin mjekësor për të cilin ka nevojë urgjente. Avokatët e tij i kanë paraqitur ankesa Grupit të Punës të OKB-së kundër Burgosjes Arbitrare, Raportuesit Special të OKB-së për Lirinë e Fesë dhe të Besimit si dhe Raportuesit Special të OKB-së për Lirinë e Mbledhjeve Paqësore dhe të Organizatave Ligjore.

A do të vazhdojë të ketë liri fetare në Kazakistan?

Dëshmitarët e Jehovait në Kazakistan kanë hasur shumë vështirësi gjatë veprimtarive të tyre fetare. Megjithatë, burgosja e padrejtë e z. Ahmedov është një sulm i ri dhe skandaloz ndaj fesë së tyre. Përfaqësuesit e Dëshmitarëve po vazhdojnë t’u kërkojnë autoriteteve të Kazakistanit të respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare që të mbrojnë lirinë themelore të besimit e të mos ndërhyjnë.