Kalo te përmbajtja

Fotografi e dokumentit që lëshoi Ministria e Arsimit në Kenia

7 QESHOR 2022
KENIA

Qeveria e Kenias nxjerr një direktivë që mbron të drejtat e nxënësve të shkollave

Qeveria e Kenias nxjerr një direktivë që mbron të drejtat e nxënësve të shkollave

Kohët e fundit, Ministria e Arsimit në Kenia nxori një direktivë ku u kërkonte autoriteteve të shkollave të mbronin të drejtat fetare të nxënësve të tyre. Ky dokument u lëshua më 4 mars 2022. Shpresojmë që kjo direktivë të jetë një ndihmë për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve të Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët kanë qenë viktimë e diskriminimit për vite të tëra.

Që nga viti 2015, 36 fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait janë përjashtuar ose pezulluar nga shkolla, ngaqë nuk pranonin të merrnin pjesë në ceremonitë fetare të detyrueshme. Më 2018, përfaqësues nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Najrobi zhvilluan takime me zyrtarë të arsimit për të kërkuar ndihmën e tyre që diskriminimi të merrte fund. Për shembull, më 23 tetor 2018, përfaqësuesit u takuan me Sekretaren e Kabinetit të Arsimit të asaj kohe, dr. Amina Mohamedin.

Direktiva që nxori qeveria, e pranon hapur se disa «punonjës të administratës së shkollave» në Kenia «po përdorin pretekste të pabaza për t’i mbajtur nxënësit larg shkollës». Ky dokument sqaronte se «në veçanti, . . . disa shkolla po shkelin të drejtat fetare të nxënësve dhe po përdorin fenë si faktor për të përcaktuar nëse do të pranojnë ose nëse do të përjashtojnë nxënës nga shkolla».

Siç është raportuar gjerësisht në lajme në Kenia, kjo direktivë konfirmon edhe një herë se «shkelja e të drejtave fetare bie në kundërshtim me ligje të ndryshme kombëtare, me konventa rajonale e ndërkombëtare, . . . e në veçanti, me Kushtetutën e Kenias». Për këtë arsye, fëmijëve Dëshmitarë dhe të tjerëve nuk mund t’u kërkohet që «të kryejnë apo të marrin pjesë në një veprimtari që bie ndesh me fenë e tyre». Në fund, dokumenti u kërkon të gjithë drejtuesve nëpër shkolla ta vënë menjëherë në zbatim këtë direktivë.

Kimberli Njangeta, një Dëshmitare 17-vjeçare në Najrobi, thotë: «Drejtoria ka thirrur prindërit e mi në shkollë mbi 5 herë vetëm ngaqë nuk pranoj të marr pjesë në ceremoni fetare. Jam e lumtur që tani kemi këtë direktivë e cila mbron qëndrimin tonë të bazuar në Bibël.»

Jemi mirënjohës që zyrtarë të arsyeshëm kanë nxjerrë këtë direktivë, e cila do t’i ndihmojë nxënësit tanë nëpër shkolla në Kenia të vazhdojnë të palëkundur, pa bërë kompromis me bindjet e tyre fetare.—1 Korintasve 15:58.