Kalo te përmbajtja

5 KORRIK 2023
KENIA

Vendimi i gjykatës mbron të drejtën e adhurimit të nxënësve në Kenia

Vendimi i gjykatës mbron të drejtën e adhurimit të nxënësve në Kenia

Më 12 maj 2023, Gjykata e Apelit në Kenia mori një vendim domethënës që mbron lirinë fetare të nxënësve në shkolla. Ligji në Kenia e thotë qartë se askush nuk duhet të detyrohet që të marrë pjesë në ndonjë aktivitet që bie në kundërshtim me bindjet e tij fetare. E megjithatë, që nga viti 2015, janë përjashtuar ose pezulluar nga shkolla 41 fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait, ngaqë nuk pranojnë të marrin pjesë në aktivitetet fetare të feve të tjera.

Vendimi që mori Gjykata e Apelit në favor të Dëshmitarëve lidhet me një incident që ndodhi në vitin 2017. Nëntë nxënës Dëshmitarë, me respekt, refuzuan të merrnin pjesë në aktivitetet fetare në shkollë. Çështja e tyre shkoi deri në gjyq dhe, më 2019, një gjykatë më e ulët vendosi që shkolla nuk i kishte shkelur të drejtat themelore të fëmijëve Dëshmitarë duke i detyruar të merrnin pjesë në këto aktivitete. Mirëpo, më 12 maj 2023, Gjykata e Apelit të Kenias vendosi se gjykata e shkallës më të ulët «kishte cenuar të drejtën e [nxënësit] për arsimim dhe për t’u trajtuar me respekt». Gjithashtu shtoi se rregullat e shkollës që Dëshmitarët e Jehovait të merrnin pjesë në aktivitete fetare ishin «diskriminuese, antikushtetuese dhe të pavlefshme». Një gjykatës që mori pjesë në çështje shkroi: «Ky vendim gjykate duhet të përdoret në të ardhmen për të udhëzuar shkollat në lidhje me të drejtat fetare të nxënësve.»

Vendimi përforcon më tej një direktivë që nxori Ministria e Arsimit të Kenias në mars 2022, në të cilën i bënte thirrje të gjithë zyrtarëve të shkollave që të mbronin të drejtat fetare të të gjithë nxënësve. Me këtë vendim, Kenia i shtohet listës së vendeve afrikane gjithnjë e në rritje, ndër to Malavia dhe Ruanda, të cilat kanë marrë vendime të ngjashme për të mbrojtur të drejtat themelore të nxënësve Dëshmitarë.

Të rinjtë tanë të guximshëm në Kenia dhe anekënd botës mund të jenë të sigurt se Jehovai ndihet shumë krenar për ta, teksa sheh se janë të vendosur të mbrojnë adhurimin e pastër.—Proverbat 29:25.