2 MARS 2015
KIRGIZISTAN
Liria e fesë në udhëkryq në Kirgizistan
Liria e fesë bëri përpara në Kirgizistan kur, më 4 shtator 2014, Dhoma Kushtetuese e Gjykatës së Lartë shpalli se disa pjesë të ligjit për fenë të vitit 2008 ishin jokushtetuese. Kjo u hapi udhën Dëshmitarëve të Jehovait që të regjistroheshin si fe në rajonet jugore të Kirgizistanit. *
Pavarësisht nga ky vendim, Komiteti i Shtetit për Çështjet Fetare (SCRA) ende refuzon t’i regjistrojë ligjërisht Dëshmitarët në rajonet jugore të Kirgizistanit. SCRA-ja pohon se derisa parlamenti të nxjerrë amendamente të ligjit për fenë të vitit 2008, ky ligj mbetet në fuqi siç është shkruar dhe prandaj nuk i lejon Dëshmitarët e Jehovait të fitojnë statusin ligjor. Si pasojë, i njëjti aktivitet fetar që është regjistruar dhe kryhet paqësisht në veri, has diskriminim dhe kufizime në jug të Kirgizistanit. *
Arrestohet për aktivitet fetar të paregjistruar
Më 30 qershor 2014, në Narin, qytet në juglindje të Kirgizistanit, 46-vjeçarja Zhyldyz Zhumalieva po fliste me fqinjët për bindjet e saj fetare. Autoritetet në Narin e arrestuan dhe e shpallën fajtore, sepse po fliste si pjesëtare e një organizate fetare lokale të paregjistruar. * Që nga shpallja e pavarësisë së Kirgizistanit, kjo është hera e parë që një Dëshmitar ndiqet penalisht për pjesëmarrje në aktivitete fetare.
Më 5 gusht 2014, Gjykata Krahinore e Narinit shqyrtoi në apel çështjen kundër zonjës Zhumalieva. Gjykatësit i bënë shumë pyetje, duke kërkuar të kuptonin bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe mesazhin që u shpallin fqinjëve. Pas shqyrtimit të dëshmive, gjykatësit e pezulluan çështjen në pritje të daljes së vendimit të lartpërmendur nga Dhoma Kushtetuese.
Më pas, Gjykata Krahinore e Narinit e mori përsëri në shqyrtim çështjen e zonjës Zhumalieva. Gjykata nuk konstatoi asnjë shkelje administrative dhe pohoi se të gjithë qytetarët kanë të drejtën kushtetuese për të shfaqur bindjet e tyre fetare. Duke arsyetuar në bazë të vendimit të Dhomës Kushtetuese, gjykata vërejti se Dëshmitarët e Jehovait janë regjistruar në rang kombëtar në Kirgizistan. Ajo e anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, mirëpo prokurori apeloi, me pretendimin se vendimi i Dhomës Kushtetuese nuk kishte lidhje me çështjen. Më 24 dhjetor 2014, Gjykata e Lartë e refuzoi apelimin duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Krahinore të Narinit që shfajësonte zonjën Zhumalieva dhe kështu mbronte të drejtën e saj për të folur për bindjet fetare me fqinjët.
Drejtësi në Osh pavarësisht nga akuzat e sajuara
Më 2013, Oksana Koriakina dhe e ëma, Nadezhda Sergienko, u mbajtën në arrest shtëpie sepse gjoja kishin kryer krime ndërsa flitnin për besimin e tyre me të tjerët. Zyrtarët në Osh i përdorën këto akuza të sajuara si pretekst që Dëshmitarët e Jehovait janë përfshirë në «aktivitet fetar të paligjshëm». Zyrtarët kundërshtojnë se pa u regjistruar si një organizatë fetare lokale, Dëshmitarët e Jehovait nuk mund t’i shfaqin publikisht në asnjë mënyrë bindjet e tyre fetare.
Gjykata e shkallës së parë në Osh i shfajësoi të dyja gratë nga akuzat penale. Në vendimin e datës 7 tetor 2014, gjykatësi nxori përfundimin se hetuesit kishin bërë gabime serioze gjatë hetimit dhe se i kishin ndjekur penalisht zonjat Koriakina dhe Sergienko thjesht sepse janë Dëshmitare të Jehovait.
Prokurori në Osh apeloi që të anulohej vendimi i gjykatës së shkallës së parë. Ai kërkoi që çështja t’u kthehej sërish hetuesve «për të ndrequr» gabimet dhe që t’i nxirrte para gjykatës për herë të dytë zonjën Koriakina dhe zonjën Sergienko. Kur gjykata e apelit hodhi poshtë kërkesën e prokurorit, ai apeloi në Gjykatën e Lartë të Kirgizistanit. Gjykata do ta shqyrtojë çështjen më 3 mars 2015 dhe Dëshmitarët shpresojnë se vendimi i saj do ta mbrojë përsëri drejtësinë.
Do ta nxitë apo do ta kufizojë Kirgizistani lirinë e fesë?
Një Dëshmitar i Jehovait që ishte i pranishëm gjatë gjyqit të zonjës Zhumalieva tha: «Që në vitin 1998, zyrtarët lokalë na kanë bërë presion ngaqë nuk jemi regjistruar ligjërisht në Narin. Tani, si rezultat i këtyre vendimeve nga Gjykata e Lartë, shpresojmë që më në fund do të regjistrohemi.»
Dëshmitarët e Jehovait mezi presin të regjistrohen në Narin, Osh dhe kudo në jug të Kirgizistanit, që të mund të vazhdojnë adhurimin e tyre fetar paqësor pa pasur ngacmime. Nëse Kirgizistani zbaton vendimin e gjykatës së lartë, do të nxitë lirinë fetare të qytetarëve të tij.
^ par. 2 Për një përshkrim të vendimit të Dhomës Kushtetuese të Gjykatës së Lartë, i datës 4 shtator 2014, shih artikullin «Gjykata e Lartë e Kirgizistanit mbron lirinë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait».
^ par. 3 Dëshmitarët janë regjistruar në rang kombëtar dhe po ashtu janë regjistruar lokalisht në rajonet veriore të vendit. Megjithatë, autoritetet vazhdimisht nuk kanë pranuar t’i regjistrojnë lokalisht në rajonet jugore.
^ par. 5 Neni 395(2) i Kodit Administrativ të Republikës së Kirgizistanit ndalon shkeljen e «rregullave për organizimin dhe mbajtjen e mbledhjeve fetare, të procesioneve, si edhe të ceremonive të tjera fetare.»