1 DHJETOR 2021
KIRGIZISTAN
Një gjykatë në Kirgizistan përpiqet të ndalojë 13 botime të Dëshmitarëve të Jehovait
Më 2 dhjetor 2021, Gjykata Krahinore e Pervomajskit në Bishkek, Kirgizistan, hodhi poshtë kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm që t’i deklaronte si ekstremiste 13 botime të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai ishte përpjekur t’i përshpejtonte procedurat dhe nuk i kishte njoftuar vëllezërit tanë për çështjen. Prapëseprapë, avokatët mbrojtës arritën t’i dërgonin gjykatës një letër në emër të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania dhe të Qendrës Fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën e Kirgizistanit, ku parashtronin me shkrim dhe në mënyrë të hollësishme kundërshtimet për kërkesën. Gjykatësi iu referua këtyre fakteve kur vendosi që çështja nuk i plotësonte siç duhet procedurat për gjykim, prandaj e mbylli çështjen. Prokurori ka 10 ditë kohë të apelojë vendimin.
Të enjten, më 2 dhjetor 2021, Gjykata Krahinore e Pervomajskit në Bishkek, Kirgizistan, do të vendosë nëse 13 botime të Dëshmitarëve të Jehovait do të deklarohen ekstremiste apo jo. Dokumentacioni për këtë çështje tregon një plan për të ndjekur shembullin e Rusisë dhe për të ndaluar jo vetëm botimet. Për shembull, një letër nga Komiteti i Shtetit të Kirgizistanit për Sigurinë Kombëtare drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm thotë «të fillojë ndalimi i materialeve të kësaj organizate fetare dhe të merret në konsideratë një ndalim i mundshëm i veprimtarive të saj në Republikën e Kirgizistanit».