Kalo te përmbajtja

1 MARS 2016
KIRGIZISTAN

A do të ketë drejtësi për viktimat e brutalitetit policor në Osh?

A do të ketë drejtësi për viktimat e brutalitetit policor në Osh?

Për herë të tretë, Prokurori i Përgjithshëm i Kirgizistanit ka urdhëruar Prokurorinë e Qytetit të Oshit të nisë hetimet penale ndaj dhjetë punonjësve të policisë. Në gusht 2015 bastisën një mbledhje fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në mënyrë të paligjshme dhe rrahën keqas disa të pranishëm. Pavarësisht se ka prova të qarta për keqbërje nga ana e policisë, Prokuroria e Qytetit të Oshit nuk ka pranuar të nisë një hetim penal.

Bastisje e paligjshme dhe veprime të rënda të policisë

Të dielën në mëngjes, më 9 gusht 2015, dhjetë punonjës policie nga Departamenti 10 * i Policisë në Osh, bastisën një mbledhje fetare paqësore në një lokal të marrë me qira, ku ishin mbledhur mbi 40 veta. Ndërsa Nurlan Usupbaevi po drejtonte mbledhjen fetare, një nga policët i bërtiti ta ndërpriste menjëherë, pasi ishte «e paligjshme». Policia i kërcënoi disa herë të gjithë të pranishmit se do t’i qëllonte me armë. Kur një nga të pranishmit, Tinçtik Olzhobaevi, tentoi të filmonte veprimet e rënda të policisë, ata e çuan në një dhomë tjetër dhe e rrahën egërsisht.

Policët çuan në rajon dhjetë burra Dëshmitarë. Atje rrahën brutalisht gjashtë prej tyre dhe tre gati sa nuk i mbytën, përfshirë z. Usupbaev. Burrat i lanë të lirë brenda ditës, dhe, ata që kishin dëmtime të rënda, shkuan të vizitoheshin në spital.

Dy ditë më vonë, më 11 gusht, policët Kozhobek Kozubaevi dhe Nurbek Sherikbaevi, po ata që kishin drejtuar bastisjen dhe rrahjet, arrestuan z. Usupbaev me akuzën se ishte përfshirë në veprimtari fetare të paligjshme. Seanca dëgjimore u planifikua të mbahej më 20 dhe 21 gusht në Gjykatën e Qytetit të Oshit.

Gjykata mbron të drejtën e Dëshmitarëve për të adhuruar

Gjatë seancës, përfaqësuesi i Departamentit 10 argumentoi se mbledhja fetare më 9 gusht ishte e paligjshme, sepse Dëshmitarët e Jehovait në Osh nuk janë të regjistruar ligjërisht. Pala akuzuese pretendoi edhe se prania e fëmijëve në mbledhje bashkë me prindërit Dëshmitarë shkelte ligjin kirgiz për fenë, i cili ndalon rekrutimin e fëmijëve në organizata fetare.

Më 21 gusht kreu i trupit gjykues në Gjykatën e Qytetit të Oshit e shfajësoi z. Usupbaev nga akuza për veprimtari fetare të paligjshme. Gjykata nxori përfundimin se çështja administrative kundër tij duhej mbyllur, sepse nuk ekzistonte asnjë provë që e përfshin në veprimtari fetare të paligjshme ose në «rekrutimin» e fëmijëve.

Prokurori i qytetit të Oshit e apeloi vendimin pranë Gjykatës Rajonale të Oshit, duke kundërshtuar vendimin për shfajësimin e z. Usupbaev. Gjykata rajonale nuk e pranoi kërkesën e prokurorit dhe la në fuqi vendimin e gjykatës së mëparshme për shfajësimin e z. Usupbaev nga akuzat. Gjykata rajonale ritheksoi se Dëshmitarët e Jehovait janë një organizatë fetare e regjistruar ligjërisht në Kirgizistan. Më tej, gjykata vuri në dukje se tashmë Dhoma Kushtetuese e Gjykatës së Lartë e kishte shpallur antikushtetuese pjesën e ligjit kirgiz që kërkonte regjistrimin e feve në shkallë lokale. * Gjithsesi, tani prokurori e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila do të shqyrtohet më 2 mars 2016.

Prokurori lokal urdhërohet të hetojë policinë

Gjatë kohës që po shqyrtohej çështja, z. Usupbaev dhe të tjerët, që policët i kishin rrahur keqas gjatë bastisjes së 9 gushtit, depozituan një ankesë pranë Prokurorisë së Qytetit të Oshit. Ata kërkuan që dhjetë policët të ndiqeshin penalisht. Si pasojë nisi një seri padish dhe apelimesh. Prokurori i qytetit të Oshit refuzoi tri herë radhazi të hapte një çështje dhe në secilin rast pala e dëmtuar apeloi te Prokurori i Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm anuloi dy herë vendimin e prokurorit të qytetit të Oshit dhe i kërkoi ta rishqyrtonte çështjen. Megjithatë, pasi mori kërkesën e tretë për apelim nga pala e dëmtuar, Prokurori i Përgjithshëm nuk e shqyrtoi vetë çështjen, por ia ktheu prokurorit të qytetit të Oshit që të vendoste. Ky veprim i fundit i Prokurorit të Përgjithshëm, më datë 21 janar 2016, lë dyshim nëse do të ketë ndonjëherë drejtësi për viktimat.

Dëshmitarët e Jehovait në Kirgizistan janë mirënjohës që janë të regjistruar ligjërisht në shtetin e tyre, si dhe për këto vendime të fundit në Osh. E vlerësojnë që gjykatës të paanshëm me guxim po i hapin rrugë lirisë fetare, duke zbatuar ligjin dhe duke vepruar sipas zotimit të qeverisë për lirinë e adhurimit e të besimit. Gjithsesi janë tejet të shqetësuar që autoritetet shtetërore s’janë treguar të vendosur për të nxjerrë para drejtësisë policët që morën pjesë në këtë sulm brutal. Dëshmitarët e Jehovait i bëjnë thirrje Zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme të veprojë në mënyrë të qartë dhe vendimtare, si edhe t’i ndjekë penalisht përgjegjësit e këtij akti të dhunshëm.

^ par. 4 Departamenti 10 është një degë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kirgizistan.