Kalo te përmbajtja

30 DHJETOR 2013
KIRGIZISTAN

Gjykata e Kirgizistanit vendos në favor të atyre që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes

Gjykata e Kirgizistanit vendos në favor të atyre që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes

BISHKEK, Kirgizistan—Më 19 nëntor 2013, Dhoma Kushtetuese e Gjykatës së Lartë në Kirgizistan shpalli unanimisht se ligji aktual i vendit për shërbimin alternativ është antikushtetues dhe dhunon të drejtën e lirisë së fesë. Gjykata e urdhëroi qeverinë të bënte një ndryshim në ligj për të lejuar një shërbim civil alternativ të vërtetë për ata që e refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.

Në vitin 2009, Kirgizistani nxori një ligj që njohu të drejtën e shërbimit alternativ. Megjithatë, u bë e dukshme se ky shërbim në të vërtetë ishte nën kontrollin e ushtrisë. Ata që kryenin këtë shërbim, viheshin nën mbikëqyrjen e personelit ushtarak dhe disa urdhëroheshin të bënin pagesa në mbështetje të veprimtarive ushtarake. Pasi e përfundonin shërbimin alternativ, ata regjistroheshin automatikisht në rezervën e forcave të armatosura. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait nuk e pranuan shërbimin alternativ që iu ofrua, dhe, si pasojë e këtij qëndrimi, kundër Dëshmitarëve u ngritën disa çështje penale.

Vendimi i nëntorit e pranoi se Dëshmitarët kishin arsye me vend për të refuzuar shërbimin alternativ që iu ofrua, dhe se ata nuk po orvateshin t’u shmangeshin detyrimeve civile. Përkundrazi, Gjykata shpalli se Dëshmitarët ishin të gatshëm të kryenin shërbim alternativ që ka natyrë civile. Pritet që të gjitha çështjet penale që janë ngritur kundër Dëshmitarëve të rishqyrtohen dhe të merret një vendim në përputhje me ligjin e rishikuar.

Khamit Iskakov, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Kirgizistan, thotë: «Ky vendim jo vetëm që do të zgjidhë çështjen e refuzimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes, por edhe do t’u tregojë më tej zyrtarëve kirgizë se Dëshmitarët e Jehovait janë një fe ndërkombëtare dhe e respektuar.»

Zëdhënësi për mediat:

Ndërkombëtar: J. R. Brown, Zyra e Informacionit Publik, tel. +1 718 560 5000

Kirgizistan: Khamit Iskakov, tel. +996 770 778 885