Kalo te përmbajtja

17 DHJETOR 2015
KIRGIZISTAN

Gjykata e Kirgizistanit konfirmon pafajësinë e dy grave të dënuara mbi akuza të pavërteta

Gjykata e Kirgizistanit konfirmon pafajësinë e dy grave të dënuara mbi akuza të pavërteta

Më 29 tetor 2015 një panel prej tre gjykatësish nga Gjykata Rajonale e Oshit dëgjoi apelimin dhe konfirmoi pafajësinë e dy Dëshmitareve të Jehovait, Oksana Koriakinës dhe mamasë së saj, Nadezhda Sergienkos. Prokurori ngriti akuza të rreme se ato kishin mashtruar banorët e Oshit gjatë veprimtarive të tyre fetare.

Hetimi mbi akuza të pabaza: tregues i diskriminimit fetar

Në mars 2013 policia i arrestoi Oksana Koriakinën dhe Nadezhda Sergienkon mbi bazën e akuzave të sajuara. Edhe pse gratë kishin prova të forta dhe dëshmitarë okularë që provonin pafajësinë e tyre, hetimi vazhdoi dhe Gjykata e Qytetit të Oshit i la në arrest shtëpie, në pritje të gjyqit.

Më vonë, e njëjta gjykatë arriti në përfundimin se hetimet paraprake kundër Oksanës dhe Nadezhdës ishin të paligjshme dhe se hetuesit «kishin shkelur shumë herë kodin e procedurës penale». Për shembull, hetuesit e shqyrtuan skenën e një prej incidenteve vetëm katër muaj pasi kishte ndodhur një prej «krimeve» dhe nuk kishin gjetur asnjë provë materiale që lidhej me akuzat. I kishin shkelur në mënyrë kaq skandaloze procedurat e identifikimit të të akuzuarave teksa i kishin vënë në një rresht me të akuzuar të tjerë, saqë më vonë rezultatet ishin shpallur të pavlefshme. Gjatë hetimit dhe gjyqit «viktimat» e ndryshuan shpesh dëshminë e tyre.

Gjykatësi arriti në konkluzionin se «viktimat» i paragjykonin Dëshmitarët e Jehovait dhe se hetuesit i kishin keqtrajtuar gratë «ngaqë ishin anëtare të organizatës fetare të Dëshmitarëve të Jehovait». Për shembull, edhe pse dy Dëshmitaret ishin akuzuar për mashtrim, kur hetuesit kontrolluan shtëpitë e tyre pas disa muajsh, kryesisht u përqendruan të gjenin literaturë fetare të ashtuquajtur të ndaluar. Megjithatë nuk gjetën asgjë.

Arrest shtëpie i mundimshëm

Për shkak të arrestit të shtëpisë para gjyqit, Oksana dhe Nadezhda nuk lëviznin dot nga qyteti i Oshit pa lejen e autoriteteve vendëse. Gjatë orarit të ndalimit ishin të detyruara të rrinin në shtëpi dhe kjo s’ishte aspak e lehtë. Për më se dy vjet, ky lloj ndalimi i kufizoi Oksanën dhe Nadezhdën nga punët e përditshme e veprimtaritë fetare.

Për më tepër, Nadezhda mezi gjente punë meqë autoritetet i kishin marrë pasaportën. Kur pati një problem shëndetësor, nuk shkoi dot në spital ngaqë s’dilte dot nga shtëpia gjatë orarit të ndalimit. Oksana duhej të kërkonte leje nga gjykatësi që të udhëtonte me të shoqin jashtë qytetit të Oshit. Ajo dhe i shoqi vuajtën emocionalisht dhe kaluan net pa gjumë ngaqë vritnin mendjen si do të shkonte çështja.

Triumfon drejtësia

Më 7 tetor 2014 Gjykata e Qytetit të Oshit i shfajësoi Oksanën dhe Nadezhdën meqë «nuk kishte asnjë provë se ishin fajtore». Gjithsesi, apelimi i përsëritur nga prokurori i vonoi procedurat edhe një vit tjetër, ndaj arresti i shtëpisë zgjati deri në tetor 2015 kur u mbajt seanca dëgjimore e apelit.

«Prokurori nuk paraqiti asgjë që të hidhte poshtë dëshminë (alibinë) e të pandehurave apo ndonjë provë se të pandehurat O. Koriakina dhe N. Sergienko ishin fajtore për shkelje.»—Gjykatësi i Gjykatës së Apelit

Më 29 tetor 2015 tre gjyqtarët e Gjykatës Rajonale të Oshit që dëgjuan apelimin lanë në fuqi vendimin e mëparshëm të gjykatës. Gjykata e apelit vendosi se «argumentet në apelimin [e prokurorit] dhe kërkesa e apelit nuk ishin vërtetuar gjatë gjyqit». Gjithashtu ajo konfirmoi se Oksana dhe Nadezhda nuk ishin fajtore dhe urdhëroi t’u hiqej menjëherë arresti i shtëpisë. Më tej gjykata vendosi se Oksana dhe Nadezhda duhej të dëmshpërbleheshin në para për dëmet materiale e monetare për shkak të hetimit të paligjshëm dhe të gjyqit.

Oksana u shpreh: «Unë dhe mamaja ndihemi të lehtësuara që gjykata na shpalli të pafajshme dhe na hoqi arrestin e shtëpisë. Mezi presim të jemi të lira që të kalojmë më shumë kohë me familjen e miqtë, si edhe të përfshihemi plotësisht në veprimtaritë tona fetare.»

Oksana, Nadezhda dhe Dëshmitarë të tjerë në Kirgizistan janë mirënjohës që gjykatat mbrojtën ligjin dhe nuk ranë pre e paragjykimit të disa zyrtarëve vendës në Osh. Ata shpresojnë që ky vendim t’i nxitë autoritetet vendëse të njohin lirinë e fesë të garantuar nga kushtetuta dhe t’i njohin ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait në Kirgizistanin Jugor.