8 QERSHOR 2021
KOLUMBI
Organizata ndihmon vëllezërit në Kolumbi
Që në fund të prillit 2021, Kolumbia është përfshirë në trazira politike. Asnjë Dëshmitar i Jehovait nuk është lënduar dhe nuk është vrarë. Megjithatë, në disa zona është bërë e vështirë të gjejnë ushqime dhe karburant. Vëllezërit tanë po përballen me këto mungesa dhe me pasojat që ka sjellë pandemia COVID-19.
Për të ndihmuar vëllezërit në këto kohë të vështira, Komiteti i Degës në Kolumbi ka ngritur pesë Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK). Ata po japin ndihmë praktike e njëkohësisht po respektojnë masat parandaluese kundër COVID-19. Motrat e vëllezërit vendës po ndihmojnë njëri-tjetrin, sidomos për të gjetur ushqim. Gjithashtu, pleqtë e kongregacioneve dhe mbikëqyrësit qarkorë po u japin zemër lajmëtarëve me shkrime nga Bibla.
Vëlla Almond Uinklari, që ndihmon në një nga KNRK-të, thotë: «Po përballemi me një situatë mjaft të vështirë. Falënderoj Jehovain që u vjen kaq shpejt në ndihmë shërbëtorëve të tij në kohë vuajtjesh!»
Në kongregacionin «La Loma Arena», 18 lajmëtarë dhe familjet e tyre morën ndihma ushqimore. Një çift që shërbejnë si pionierë në kongregacion, thanë: «S’na mbante vendi nga gëzimi kur Komiteti i Ndihmës në Rast Katastrofash na solli ndihmat për të cilat kishim aq shumë nevojë. Për ne, kjo ishte përgjigje e lutjeve. I jemi shumë mirënjohës familjes sonë të besimit që na siguroi pikërisht atë që na nevojitej dhe Jehovait që na dha forcë e na ndihmoi të qëndronim.»
Punonjësit e një supermarketi të madh ku KNRK-të u furnizuan për shumë gjëra, shprehën admirim të madh për punën që bëhet për shpërndarjen e ndihmave. Një nga punonjësit tha: «E dija që Dëshmitarët e Jehovait na vijnë në shtëpi që të na flasin për Fjalën e Perëndisë, por kjo punë e mrekullueshme për të ndihmuar ata që kanë nevojë, më la pa fjalë.»
Pavarësisht nga këto rrethana të vështira, vëllezërit vazhdojnë të adhurojnë Jehovain rregullisht. Jemi të sigurt se Jehovai do t’u sigurojë gjithmonë vëllezërve tanë të shtrenjtë gjërat e nevojshme materiale dhe ngushëllim nga Fjala e tij ndërsa vazhdojnë ‘të mos jenë pjesë e botës’.—Gjoni 17:16.