9 QERSHOR 2023
KOLUMBI
Organizohet për herë të parë një asamble në gjuhët guambiano dhe emberá (çami)
Të dielën, më 26 mars 2023, në Kali të Kolumbisë u mbajt një event unik multigjuhësor. Për herë të parë, programi i një asambleje qarkore në spanjisht u përkthye njëkohësisht në 2 gjuhë indigjene: guambiano dhe emberá (çami). Të pranishëm ishin mbi 1.600 veta, ndër ta 48 që flasin gjuhën guambiano dhe 78 që flasin emberá (çami).
Aktualisht në Kolumbi ka mbi 21.000 veta që kanë gjuhë amtare guambianon dhe mbi 77.000 që kanë gjuhë amtare emberán (çami). Më parë, Salla e Asambleve në Kolumbi nuk i kishte pajisjet e nevojshme që programi të përkthehej njëkohësisht në gjuhë të tjera. Prandaj, pjesëtarët e këtyre komuniteteve indigjene e ndiqnin programin në spanjisht, edhe kur nuk e kuptonin mirë gjuhën.
Kur familjet nga këto komunitete indigjene morën vesh për asamblenë, filluan menjëherë të kursenin për udhëtimin. Për shembull, familja Karrasko ka 8 anëtarë dhe jeton në një zonë rurale të thellë. Ndaj, për të shkuar në Sallën e Asambleve, u duhej të bënin 3 orë rrugë në këmbë dhe 12 orë rrugë me autobus. Mirëpo as distanca e as shpenzimet nuk ua zbehën entuziazmin për këtë udhëtim. Që të mbulonin shpenzimet, ata nisën të përgatiteshin muaj përpara, duke shitur punime dore tradicionale që i bënë vetë. Në këtë asamble, djali i tyre 12-vjeçar, Henri, ishte ndër 2 të pagëzuarit që flitnin gjuhën emberá (çami). Gjithashtu u pagëzuan edhe 2 persona që flitnin gjuhën guambiano.
Motër Adrianin Moralesi, një përkthyese e gjuhës guambiano në asamble, komentoi: «Ishte ndjesi shumë e bukur që asambleja u përkthye në gjuhën time. U lumturova pa masë që të gjithë të pranishmit patën mundësi të dëgjonin fjalën e Jehovait në gjuhën e tyre.»
Një përkthyes tjetër i gjuhës guambiano, vëllai Diomedes Velasko, tha: «Kur më thanë të përktheja, më kapi frika. Ama, mora zemër tek pashë gjërat mbresëlënëse që po bën Jehovai për popullin indigjen. Ky caktim nga Jehovai ishte vërtet privilegj!»
Është e mrekullueshme të shohësh që njerëz të çdo gjuhe po thonë: «Ejani, le të ngjitemi në malin e Jehovait.»—Isaia 2:3.