12 DHJETOR 2019
KOREJA E JUGUT
Ekspozitë në Muzeun Kombëtar për historinë e pathënë të Dëshmitarëve koreanë
Në Muzeun Përkujtimor Kombëtar të Mobilizimit të Detyruar nën Sundimin Japonez, në Busan, qyteti i dytë më i madh në Kore, u hap një ekspozitë për të përkujtuar një pjesë të panjohur të historisë së Dëshmitarëve të Jehovait atje. Kjo ekspozitë e veçantë për publikun, e titulluar «Ndryshojnë historinë, por jo ndërgjegjen», zgjati nga 12 nëntori deri më 13 dhjetor 2019. Ajo tregonte për asnjanësinë e Dëshmitarëve në Kore mbi 80 vjet më parë, gjatë sundimit kolonial japonez dhe shtypjes që pasoi.
Për herë të parë ekspozita u vendos në Muzeun Historik të Burgut Seodejmun, a në Seul në shtator 2019. Ajo tërhoqi 51.175 vizitorë, mes të cilëve edhe 5.700 vëllezër e motra që ishin delegatë në kongresin ndërkombëtar në Seul.
Ekspozita fliste për çështjen Dungdejsa, që u ngrit kur Dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerë që tregonin interes për mesazhin e Biblës i arrestuan dhe i futën në burg nga qershori 1939 deri në gusht 1945. Ata i burgosën ngaqë nuk pranuan të adhuronin perandorin dhe ngaqë mendohej se bënin propagandë kundër luftës. Arrestuan 66 veta, pra pothuajse të gjithë Dëshmitarët e Jehovait në atë kohë në Kore. Të burgosurit i shtypnin dhe i torturonin mizorisht. Mjerisht, gjashtë Dëshmitarë vdiqën nga sëmundjet prej kushteve të mjerueshme në burg.
Vëlla Hong Dej Il, që punon në Zyrën e Informacionit për Publikun në Kore, komentoi: «Shumë koreanë nuk e dinë se çështja për të drejtën e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes ka nisur 80 vjet më parë, gjatë sundimit japonez. Kjo ekspozitë e veçantë është një mundësi e mirë për të treguar për herë të parë këtë histori të jashtëzakonshme.»
Profesor Han Hong Gu, një historian që ndoqi ceremoninë hapëse, u shpreh kështu për Dëshmitarët që nuk kanë bërë kompromis: «Besoj se janë shembulli më i shkëlqyer i besnikërisë ndaj ndërgjegjes. . . . Në një kohë kur shoqëria po i respekton gjithnjë e më shumë njerëzit që veprojnë sipas ndërgjegjes, Dëshmitarët duhet të jenë të parët që duhen kujtuar.»
Gjithashtu, ekspozita zgjoi interesin e historianëve dhe të gazetarëve. Kjo krijoi një mundësi të mirë që publiku i gjerë të informohej për këtë çështje, e cila ka tërhequr goxha vëmendje përgjatë vitit të kaluar në Kore. Më 28 qershor 2018 Gjykata Kushtetuese deklaroi se mungesa e shërbimit alternativ në Korenë e Jugut ishte jokushtetuese. Vetëm 4 muaj më vonë më 1 nëntor 2018, Gjykata e Lartë vendosi që refuzimi i ushtrisë për shkak të ndërgjegjes nuk është krim. Falë këtij vendimi liruan të gjithë vëllezërit e burgosur në Korenë e Jugut dhe kështu u hap rruga që të implementohej ligji për shërbimin alternativ civil.
Besimi i fortë dhe guximi i patundur i vëllezërve dhe motrave të parë koreanë që u përkujtuan në ekspozitë, na sjellin ndër mend fjalët zemërdhënëse të Psalmit 118:6: «Jehovai është me mua, ndaj nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!»
a Para se Burgu Seodejmun të kthehej në muze, në vitet 60-80, aty mbaheshin ata që refuzonin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, madje edhe Dëshmitarë të Jehovait gjatë sundimit japonez.
Muzeu Historik i Burgut Seodejmun në Seul, Kore. Për herë të parë ekspozita u hap këtu në shtator 2019
Një grup nxënësish jashtë ekspozitës te Muzeu Historik i Burgut Seodejmun, që e kanë vizituar 51.175 veta
Në ekspozitë gjendet edhe një model i kullës së vrojtimit të burgut
Modeli i një qelie ku mbaheshin 5 Dëshmitarë, që ilustron kushtet e saj klaustrofobike
Muzeu Përkujtimor Kombëtar i Mobilizimit të Detyruar nën Sundimin Japonez, në Busan, ku sot gjendet ekspozita
Ekspozita përmban portretet dhe historitë e disa prej 66 të burgosurve që u përndoqën për shkak të asnjanësisë