Kalo te përmbajtja

27 NËNTOR 2015
KOREJA E JUGUT

Qindra Dëshmitarë koreanë paraqitën ankesa pranë Grupit të Punës të OKB-së për Burgosjen Arbitrare

Qindra Dëshmitarë koreanë paraqitën ankesa pranë Grupit të Punës të OKB-së për Burgosjen Arbitrare

Në korrik dhe gusht të 2015-s, më shumë se 600 të rinj të burgosur në Korenë e Jugut paraqitën ankesa pranë Grupit të Punës të OKB-së për Burgosjen Arbitrare (Grupi i Punës). Të gjithë këta të rinj janë ndjekur penalisht ngaqë refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të bindjeve të tyre fetare, janë shpallur fajtorë për krim dhe janë dënuar me 18 muaj burg.

Baza për ankesat

Më 15 tetor 2014, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut përkrahu vendimin se Koreja e Jugut ishte fajtore për burgosje arbitrare, kur dënoi me burg ata që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes. Ky vendim është baza për ankesat që të burgosurit i paraqitën Grupit të Punës.

Mandati i Grupit të Punës për Burgosjen Arbitrare do të «hetojë çështjet e mohimit të lirisë që janë ushtruar arbitrarisht ose ndryshe në kundërshtim me . . . mjetet ndërkombëtare ligjore të pranuara nga Shtetet e përfshira.»

Du Xhen Ou, avokati që përfaqëson ankuesit, shpjegon pse është arbitrar burgimi i atyre që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes.

Sipas standardeve ndërkombëtare, qeveritë duhet të sigurojnë alternativa të pranueshme për qytetarët e tyre që refuzojnë të kryejnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Kjo sepse e drejta për të refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, është pjesë e pandashme e së drejtës së lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë. Por, qeveria e Koresë së Jugut vazhdon të shpërfillë thirrjet nga komuniteti ndërkombëtar që të sigurojë shërbim civil alternativ.

Një vëzhgues i paanshëm do të ishte i justifikuar po ta konsideronte «arbitrar» refuzimin këmbëngulës të Koresë së Jugut për të zgjidhur një problem që ekziston prej më se 60 vjetësh dhe që ka ndikuar në jetët e mbi 18.000 burrave dhe të familjeve të tyre. Qeveria nuk ka siguruar një «rrugëzgjidhje të efektshme» për këta burra, që të jetë në përputhje me nxitjen që ka marrë nga pesë vendimet e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Sigurisht, është e padrejtë dhe shumë e papërshtatshme të burgosësh si kriminelë burra që janë fortësisht të vendosur të mos dëmtojnë askënd.

Kërkesa drejtuar Grupit të Punës

Burrat nga Koreja e Jugut që paraqitën ankesa pranë Grupit të Punës, i kërkojnë që të veprojë në dobi të tyre dhe:

  • «Të arrijë në përfundimin se burgosja e ankuesve që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, përbën burgim arbitrar.»

  • «T’i kërkojë Republikës së Koresë të lirojë menjëherë nga burgu ankuesit dhe të fshijë dosjet e tyre kriminale.»

I burgosur për shkak të besimit

Një nga të burgosurit që ka ngritur ankesë është Xhun Hjok An. Ashtu si të tjerët, ai nuk e konsideron veten kriminel. Nëna e ka stërvitur që nga fëmijëria të kuptojë dhe të zbatojë parimet e Biblës. Ndonëse i ri, vendosi vetë se shërbimi në ushtri nuk do të ishte në përputhje me bindjet e tij fetare dhe me ndërgjegjen e tij. * Duke e ditur situatën në Korenë e Jugut, e shqyrtoi mirë vendimin. I dinte pasojat që do të kishte po të refuzonte shërbimin ushtarak. Ai tha:

Nuk mendoj se duhet të ndëshkohem me burgim ngaqë u përmbahem bindjeve të mia fetare. Nëse qeveria do të vinte në dispozicion shërbim civil alternativ, unë do ta pranoja. Bindja ime e sinqertë për të mos dëmtuar askënd, nuk meriton absolutisht dënim dhe ndëshkim si kriminel.

Si do t’i përgjigjet Koreja e Jugut presionit për të ndryshuar?

Grupi i Punës do t’i dërgojë gjithsej 631 ankesa qeverisë së Koresë së Jugut që t’i shqyrtojë e t’i komentojë. Pasi qeveria të përgjigjet, Grupi i Punës do të japë opinionin e tij dhe to t’ia dërgojë rekomandimet Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Nëse këshilli është dakord se burgimi i atyre që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes përbën burgosje arbitrare, atëherë Koreja e Jugut do të përballet me kritika të ashpra që, si anëtare e komunitetit ndërkombëtar, ka lënë pas dore detyrimet e saj për të drejtat e njeriut. Z. Ou shton më tej:

Deri më tani, Koreja e Jugut nuk ka pranuar t’i përgjigjet presionit ndërkombëtar që të miratojë legjislacionin që siguron një program të pranueshëm për shërbim alternativ për ata që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes. Njëkohësisht, presioni nga gjykatat e vendit vazhdon të shtohet. Muajt e fundit, dy gjyqtarë të gjykatave krahinore, kanë shpallur të pafajshëm gjashtë djem që refuzojnë për shkak të ndërgjegjes. Që nga 2012-a, disa gjyqtarë vendas kanë çuar shtatë çështje në Gjykatën Kushtetuese, e cila dëgjoi argumentet në korrik të vitit 2015.

Momentalisht, qeveria e Koresë së Jugut dënon dhe burgos 40 deri në 50 Dëshmitarë çdo muaj, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Z. An dhe gjithë Dëshmitarët e burgosur në Korenë e Jugut mezi presin vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.