Kalo te përmbajtja

13 KORRIK 2016
KOREJA E JUGUT

Dëshmitarët e Jehovait në burgjet e Koresë së Jugut ngrenë ankesa të tjera

Dëshmitarët e Jehovait në burgjet e Koresë së Jugut ngrenë ankesa të tjera

Që nga janari 2016 më se 50 burra nga Koreja e Jugut, që e kanë kundërshtuar shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje, i janë ankuar Grupit të Punës të OKB-së për Burgosjen Arbitrare (Grupi i Punës). Këta burra pohojnë se qeveria e Koresë së Jugut është fajtore për burgosje arbitrare, duke i ndëshkuar vetëm sepse kanë ushtruar të drejtën ligjore të fesë dhe të ndërgjegjes.

Baza e ankesave

Dy institucione të OKB-së, Grupi i Punës dhe Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut kanë vendosur se burgosja e atyre që kundërshtojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje është «burgosje arbitrare». * Më 2014 Komiteti i OKB-së për këtë çështje vendosi se qeveria e Koresë së Jugut duhej ta ndalonte këtë ndëshkim të padrejtë ndaj atyre që kundërshtojnë për arsye ndërgjegjeje, t’i dëmshpërblente ata që ka burgosur dhe të fshinte dosjen e tyre kriminale. Në bazë të këtij vendimi, 682 Dëshmitarë në Korenë e Jugut kanë ngritur ankesa pranë Grupit të Punës. *

Hetime brenda dhe jashtë vendit

Grupi i Punës do të japë mendimin e vet pasi t’ia komunikojë ankesat qeverisë së Koresë së Jugut dhe të marrë opinionin e saj. Nëse ky mendim mbështet ankesat se Koreja e Jugut është fajtore për burgosje arbitrare, Grupi i Punës do t’i kërkojë qeverisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm që të ndreqë gjërat e të mos i shpallë më fajtorë për krim ata që kundërshtojnë për arsye ndërgjegjeje.

Për më tepër, çështja nëse është kushtetues Ligji për Shërbimin Ushtarak po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese të Koresë së Jugut dhe shumë shpejt do të merret një vendim. Kjo Gjykatë është e vetëdijshme se Grupit të Punës i janë paraqitur mbi 600 ankesa. Gjithashtu është e vetëdijshme se Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut e ka nxitur vazhdimisht Korenë e Jugut ta pranojë kundërshtimin për arsye ndërgjegjeje si një të drejtë dhe të sigurojë një program për shërbimin civil alternativ. Komuniteti ndërkombëtar po kushton mjaft vëmendje nëse gjykata më e lartë e Koresë së Jugut do ta mbrojë të drejtën themelore të kundërshtimit të shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

^ par. 4 Këshilli i të Drejtave të Njeriut, Opinione të marra nga Grupi i Punës për Burgosjen Arbitrare, Opinioni nr. 16/2008 (Turqi), dok. i OKB-së. A/HRC/10/21/Add.1, f. 145, par. 38 (9 maj 2008). Komiteti për të Drejtat e Njeriut, opinione, Young-kwan Kim e të tjerë kundër Republikës së Koresë, Komunikatë nr. 2179/2012, dok. i OKB-së CCPR/C/112/D/2179/2012, par. 7.5 (15 tetor 2014)

^ par. 4 Në vitin 2015 paraqitën ankesa 631 kundërshtarë për arsye ndërgjegjeje, dhe, deri tani, për vitin 2016 kanë bërë po njësoj edhe 51 të tjerë.