Përmbledhje për Korenë e Jugut
Dëshmitarët e Jehovait në Kore janë aktivë prej më se 100 vjetësh dhe e kanë adhuruar Perëndinë lirisht. E vetmja sfidë e madhe që hasin Dëshmitarët në Korenë e Jugut është përndjekja e pareshtur e qeverisë ndaj atyre që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.
Koreja e Jugut nuk e njeh të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes dhe nuk ka asnjë masë legjislative për shërbimin civil alternativ. Si pasojë, të rinjtë Dëshmitarë që kundërshtojnë për arsye ndërgjegjeje zakonisht i dënojnë me 18 muaj burg. Çdo muaj burgosen 40 deri 50 Dëshmitarë. Ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje vazhdojnë të vuajnë edhe pas lirimit nga burgu, sepse tashmë kanë një precedent penal dhe rezultojnë dezertorë të shërbimit ushtarak. Një Dëshmitar mund të ketë kufizime në gjetjen e punës dhe të përballet me disavantazhe të tjera sociale.
Probleme hasin edhe ata që e kanë kryer shërbimin ushtarak, por që më vonë kanë përqafuar mësimet biblike për të dashur të afërmin e për të mos mësuar luftën. Këta burra konsiderohen ende rezervistë, ndaj shpesh përndiqen dhe gjobiten ngaqë nuk e vazhdojnë stërvitjen ushtarake.
Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka nxjerrë mbi 500 vendime kundër Koresë së Jugut, sepse dhunon të drejtat e atyre që refuzojnë për arsye ndërgjegjeje, si dhe e konsideron burgosjen e tyre «burgosje arbitrare». Ky Komitet ka deklaruar edhe se Koreja e Jugut «është nën detyrim të shmangë shkelje të tilla» në të ardhmen. Zgjidhja e kësaj çështjeje do të nënkuptonte respekt të vërtetë për lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë në Korenë e Jugut.