Kalo te përmbajtja

16 QERSHOR 2014
KOREJA E JUGUT

Gjykatësit i bren ndërgjegjja kur u kërkohet të shpërfillin ndërgjegjen e të tjerëve

Gjykatësit i bren ndërgjegjja kur u kërkohet të shpërfillin ndërgjegjen e të tjerëve

Kryetarja e trupit gjykues në Gjykatën Krahinore në Suwon, qau kur lexoi dënimin me burg të 21-vjeçarit Chang-jo Im, një djalë që nuk pranonte të kryente shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Megjithëse po atë ditë ajo kishte dhënë vendime në pesë raste të tjera penale pa asnjë shenjë keqardhjeje, padrejtësia e kësaj çështjeje e përloti. Pa pasur zgjidhje tjetër, ajo e dënoi me 18 muaj burg këtë djalë, që është Dëshmitar i Jehovait.

Kjo histori përsëritet çdo muaj për gjykatësit në Korenë e Jugut. Një i ri paraqitet në gjykatë sepse refuzon të kryejë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje dhe, pavarësisht nga rrethanat personale, gjykatësi jep dënimin e zakonshëm: 18 muaj burg. Në një prej këtyre rasteve, gjykatësi Young-sik Kim thotë: «Vështirë se gjykatësit besojnë që ‘po dënojnë kriminelë’ kur kanë të bëjnë me ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.» Ky konflikt i brendshëm e bëri të vinte në pikëpyetje sa i drejtë ishte ligji për dënimin e atyre që refuzojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për arsye ndërgjegjeje.

Koreja e Jugut nuk pranon të njohë të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje dhe nuk ka marrë asnjë masë për të ofruar shërbim civil alternativ. Gjykatësit në Korenë e Jugut nuk mund ta shmangin këtë dilemë të përsëritur dhe janë të detyruar t’i dënojnë si kriminelë ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Gjykatësit janë të vetëdijshëm edhe se Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka vendosur për disa çështje, ku përfshihen 501 të rinj, se Koreja e Jugut po shkel detyrimet e saj ndërkombëtare duke mos i respektuar të drejtat themelore të njeriut. Ajo i ndjek penalisht dhe i burgos ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Si pasojë, një numër gjithnjë e më i madh gjykatësish i bren ndërgjegjja kur janë të detyruar të burgosin djemtë e krishterë që ndërgjegjja nuk i lejon të futen në radhët e ushtrisë.

Në këto kohë, gjashtë gjyqtarë të gjykatës krahinore ua kanë dërguar për shqyrtim këto çështje Gjykatës Kushtetuese të Koresë së Jugut, megjithëse kjo e fundit vendosi jo më larg se viti 2011 që shërbimi ushtarak është kushtetues. Gjithashtu, në vendimet e tyre gjykatësit ngrenë shqetësime konkrete.

Çfarë kanë thënë disa gjykatës?

  • Sa e moralshme është të burgosësh dikë që nuk shkon në luftë për arsye ndërgjegjeje?

    «Liria e ndërgjegjes është një e drejtë themelore që garantohet me kushtetutë pikërisht për të mbrojtur lirinë e ndërgjegjes, që është baza e vlerës dhe e dinjitetit njerëzor. . . . Megjithëse vendimi i tyre për të mos hyrë në ushtri nuk përputhet me opinionin e shumicës, vështirë të thuhet se zgjedhja e tyre përbën një krim të rëndë antisocial apo antikombëtar që meriton ndëshkim të rreptë penal.»–Gjykatësi Hye-won Lim, Gjykata Krahinore në Suwon, 21 shkurt 2013, 2012Chogi2381.

    «Të përcaktosh marrëdhënien tënde me të tjerët . . . [dhe] të mendosh seriozisht për ‘vlerën e ekzistencës njerëzore’, është themelore në procesin e formimit të karakterit. Ky proces përfshin edhe të vendosësh që të mos privosh asnjë nga e drejta për të jetuar, madje edhe në një konflikt të armatosur. Nëse ata [që kanë marrë] vendime të tilla detyrohen të kryejnë detyrën ushtarake ose të rrokin armët dhe i nënshtrohen dënimit sa herë refuzojnë ta përmbushin këtë detyrë, do të ishte mohim i të drejtave dhe i identitetit të tyre. Pa diskutim kjo dhunon dinjitetin njerëzor.»–Gjykatësi Young-hoon Kang, Gjykata Krahinore në veri të Seulit, 14 janar 2013, 2012Chogi1554.

  • A dobësohet siguria kombëtare nëse njihet e drejta për të mos shkuar në ushtri për arsye ndërgjegjeje?

    «Nuk ka prova të forta dhe konkrete ose të dhëna të vlefshme që mbështetin idenë se ofrimi i shërbimit alternativ do të dobësonte sigurinë kombëtare dhe do të bënte që barra e detyrës ushtarake të binte në mënyrë të pabarabartë.»–Gjykatësi Gwan-gu Kim, Gjykata Krahinore në Changwon Masan, 9 gusht 2012, 2012Chogi8.

    «Nuk ka arsye të mjaftueshme për të pretenduar se siguria kombëtare do të rrezikohet deri në atë pikë sa të bëhet e pamundur mbrojtja e dinjitetit njerëzor dhe e vlerës së të gjithë qytetarëve nëse një pakicë, ku futen edhe Dëshmitarët e Jehovait, . . . refuzojnë të rrokin armët dhe të marrin stërvitje ushtarake. Në të vërtetë, i akuzuari . . . tashmë e ka refuzuar detyrën ushtarake pavarësisht nga dënimi. Nëse ky pretendim do të kishte baza të forta, siguria kombëtare, dinjiteti njerëzor dhe vlera e të gjithë qytetarëve do të ishte tashmë në rrezik.»–Gjykatësi Seung-yeop Lee, Gjykata Krahinore në Ulsan, 27 gusht 2013, 2013Godan601.

  • Si mund të zgjidhet ky problem?

    «Nëse Gjykata Kushtetuese përcakton se kjo masë është antikushtetuese, pushteti ekzekutiv dhe Asambleja Kombëtare kanë aftësinë dhe autoritetin të marrin në shqyrtim edhe sigurinë kombëtare, edhe lirinë e ndërgjegjes dhe të nxjerrin ligje që njohin të drejtën e refuzimit të ushtrisë për arsye ndërgjegjeje dhe në të njëjtën kohë rritin sigurinë kombëtare.»–Gjykatësi Young-sik Kim, Gjykata Krahinore në jug të Seulit, 9 korrik 2013, 2013Chogi641.

    «Nuk do të ketë as humbje të forcave ushtarake dhe as ndikim të madh te siguria kombëtare për aq kohë sa hartohet dhe realizohet me kujdes një sistem për shërbimin alternativ që të shmangen refuzimet e shërbimit ushtarak nën pretekstin e ndërgjegjes.»–Gjykatësi Seong-bok Lee, Gjykata Krahinore në lindje të Seulit, 20 shkurt 2014, 2014Chogi30.

Çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese?

Këta gjyqtarë i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese t’i japë një përgjigje dilemës së tyre shqetësuese në lidhje me refuzimin e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje. Deri tani, kjo Gjykatë ka pranuar të shqyrtojë 29 çështje, ku në dy prej tyre përfshihen 433 djem.

Po çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese në këto çështje? A do ta njohë gjykata më e lartë e Koresë së Jugut të drejtën për t’i thënë jo shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje, duke i hapur kështu udhën ligjeve të reja? Nëse po, do t’u përmbahet detyrimeve ndërkombëtare, vetë kushtetutës së saj dhe do t’i japë dinjitet ndërgjegjes së shumë vetave duke liruar qindra djem që janë burgosur padrejtësisht.