24 GUSHT 2018
KOREJA E JUGUT
Teksa afrohet seanca e Gjykatës së Lartë, rritet optimizmi për një individ që refuzon ushtrinë për shkak të ndërgjegjes
SEUL, Koreja e Jugut—Në janar të 2017-s, Li Gio Uon, që në atë kohë ishte 21 vjeç, doli para një gjykatësi në Korenë e Jugut me shpresa të mëdha dhe fjalë të zgjedhura mirë. Z. Li kishte si synim të bindte gjykatësin se refuzimi i tij i prerë për të mos kryer shërbimin ushtarak nuk ishte vepër penale, por vendim i ndërgjegjshëm i bazuar në një bindje të fortë kundër dhunës.
Z. Li, që është Dëshmitar i Jehovait, nuk kishte shumë arsye për të qenë optimist. Kur nisi gjyqi i tij, tashmë 392 Dëshmitarë që refuzonin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes ishin në burg me dënime që në total shkonin 588 vjet. Që nga viti 1950, mbi 19.340 bashkëbesimtarë të z. Li janë dënuar në total me rreth 36.800 vjet burg, ngaqë legjislacioni korean nuk e konsideronte qëndrimin e tyre si bazë të justifikueshme për të refuzuar shërbimin ushtarak.
Gjithsesi, që nga viti 2004, gjykatësit që i trazonte burgosja në mënyrë automatike e individëve të tillë, i shpallën të pafajshëm 90 prej tyre. Për shembull, Çoi Jong Du, gjykatës në Gjykatën e Apelit të Pusanit, nxori përfundimin se vendimi personal për të mos kryer shërbimin ushtarak «bazohet në një ‘ndërgjegje’ të fortë e të sinqertë, e formuar nga bindjet e tyre fetare».
Në qershor të 2018-s, Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut më në fund vendosi se Ligji për Shërbimin Ushtarak duhet riformuluar që të ofrojë shërbim alternativ për ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. a Por ky vendim historik u mor shumë vonë për z. Li. Ai shpjegon: «Pasi shfrytëzova të gjitha mundësitë e apelimit, tani po vuaj dënimin në burgun e Tegut.» Ai është dënuar me 18 muaj burg.
Z. Li është një ndër Dëshmitarët e shumtë koreanë që kanë refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes që nga koha kur Koreja ishte nën sundimin japonez. Kur dy të rinj Dëshmitarë u futën në burg në vitin 1939 ngaqë refuzuan ushtrinë, autoritetet japoneze arrestuan Dëshmitarë të tjerë në Japoni, Tajvan dhe Kore (që atëherë njihej me emrin Çosun). Të 38 Dëshmitarët e burgosur në Kore nuk pranuan të nderonin perandorin japonez dhe të përfshiheshin në aktivitete që kishin lidhje me luftën. Pesë nga Dëshmitarët e burgosur vdiqën për shkak të kushteve brutale, ndërsa shumica u liruan vetëm pasi Japonia kapitulloi në vitin 1945.
Dëshmitarët e kanë refuzuar për më se një shekull shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Bazuar në vargjet e Biblës dhe në modelin e krishterimit të hershëm, Dëshmitarët besojnë se të krishterët nuk duhet të shkojnë në luftë sepse nuk kanë asnjë të drejtë të vrasin të tjerë. Për më tepër, Dëshmitarët qëndrojnë asnjanës në çështjet politike, pasi e konsiderojnë veten nënshtetas të Mbretërisë ose të qeverisë së Perëndisë.
Gjatë Luftës I Botërore, Dëshmitarët (që në atë kohë njiheshin si Studentët Ndërkombëtarë të Biblës) u përballën me sfidën e parë serioze për qëndrimin e tyre kundër dhunës. Në Britani, rreth 400 Dëshmitarë refuzuan thirrjen e detyrueshme për t’iu bashkuar ushtrisë. Gjatë Luftës II Botërore, Dëshmitarët në Shtetet e Bashkuara përbënin grupin më të madh me të burgosur që refuzonin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, rreth 4.440 veta.
Ka shumë shembuj që tregojnë se Dëshmitarët ishin plotësisht të vendosur të qëndronin asnjanës. Ndoshta shembulli më i mirë ishin Dëshmitarët që vuajtën jashtë mase nga qeveria naziste. Nazistët ekzekutuan rreth 400 Dëshmitarë, shumicën ngaqë refuzonin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Më tepër se 1.000 Dëshmitarë të tjerë vdiqën për hir të besimit nga torturat dhe kushtet brutale të kampeve dhe të burgjeve. Sipas historianit Robert Geruorth, ata ishin «i vetmi grup në Rajhun e Tretë që u përndoqën vetëm për shkak të bindjeve fetare».
Megjithatë, Dëshmitarët koreanë në krahasim me Dëshmitarët e vendeve të tjera, kanë më shumë kohë që ndëshkohen për qëndrimin e tyre për shkak të ndërgjegjes. Li Gio Uon e humbi babanë në një aksident kur ishte tetë vjeç. Atë e mësoi e ëma për Biblën dhe për rëndësinë e ndjekjes së ndërgjegjes. «Kur kuptova qëllimin pse jemi krijuar, më lindi dashuria për Perëndinë, Jehovain. Që nga ai moment, kam qenë i vendosur t’i shërbej Jehovait gjithë jetën, dhe kjo është përparësia ime»,—thotë ai.
Z. Li ishte i vetëdijshëm se mund të përfundonte në burg, prandaj ka zgjedhur si profesion ndërtimin, të bëjë punime të brendshme. Ai ka planifikuar të vetëpunësohet pas mbarimit të dënimit, duke ditur se do ta ketë të vështirë të gjejë një punë për shkak të dosjes penale.
Ditën e gjyqit, z. Li kujton: «Doja me gjithë zemër të vërtetoja se nuk isha fajtor, pasi vendimi im ishte i sinqertë dhe bazohej te besimi dhe ndërgjegjja.» Ai meditonte për dishepujt e hershëm të krishterë, Stefanin dhe Pavlin, që e mbrojtën besimin gjithë elokuencë në gjyq. «Mendoj se dëshmia që dhashë ishte dyfish më e mirë sesa isha përgatitur»,—deklaroi z. Li.
Më 30 gusht 2018, Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut, do të mbajë një seancë publike ku do të shqyrtojë drejtimin e Gjykatës Kushtetuese që të sigurohet një alternativë për ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Vendimi i Gjykatës së Lartë do të ndikojë ndjeshëm te 900 çështjet që janë duke u shqyrtuar në gjykata të ndryshme. Përveç kësaj, 117 personat që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, përfshirë z. Li, janë ende në burg, në pritje të kërkesës për amnisti të veçantë nga presidenti i Koresë së Jugut. Megjithëse, më 30 gusht, z. Li mund të jetë ende në burgun e Tegut, do ta ndjekë me interes të madh seancën.
Ndonëse gjykata e ka shpallur fajtor, dhe nuk i është pranuar apelimi, z. Li është optimist për rezultatin përfundimtar: «Shpresoj që të jem ndër të fundit që përballen me jetën e burgut, të cilën e provova ngaqë kam dashuri për të tjerët dhe, ç’është më e rëndësishmja, dashuri për Perëndinë dhe për parimet e tij.»
Zëdhënësi ndërkombëtar për mediat: Pol Gilis, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000
Zëdhënësi i Koresë së Jugut për mediat: Hong Dae Il, +82-31-690-0055