Kalo te përmbajtja

Seanca dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese të Koresë së Jugut më 9 korrik 2015

20 DHJETOR 2016
KOREJA E JUGUT

Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut së shpejti do të marrë një vendim të rëndësishëm

Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut së shpejti do të marrë një vendim të rëndësishëm

Një vendim historik pritet të dalë nga Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut teksa rishqyrton parimet e kushtetutës dhe dënimet nga Ligji për Shërbimin Ushtarak për ata që refuzojnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. Interesi për këtë vendim është rritur që nga korriku i 2015-s kur për këtë çështje u mbajt një gjyq me dyer të hapura. Kohët e fundit, kryetari i kësaj gjykate, Han-chul Park, konfirmoi se vendimi do të merret para se të mbarojë mandati i tij më 30 janar 2017.

Një vendim që ndikon te mijëra

Gjykata Kushtetuese është gjykata më e lartë në Korenë e Jugut dhe ka autoritetin të përcaktojë nëse ligji përputhet me kushtetutën. Asaj i është kërkuar të rishqyrtojë dispozitën në Ligjin për Shërbimin Ushtarak që dënon me burgim ata që nuk pranojnë të bëjnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. Pritet që kjo gjykatë të vendosë nëse ky dënim bie ndesh me Kushtetutën e Koresë së Jugut dhe me lirinë e ndërgjegjes e të fesë që ajo garanton.

Nëse ajo vendos se dënimet me burgim prej dekadash nga ana e qeverisë në lidhje me këtë çështje janë antikushtetuese, Koreja e Jugut do të jetë e detyruar t’i rishqyrtojë këto dënime. Një vendim i tillë pozitiv mund ta shtyjë qeverinë t’u japë fund ndjekjes penale, dënimit dhe burgosjes së të rinjve që nuk bëjnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes.

Pështjellim në procesin gjyqësor

Gjykata Kushtetuese e ka shqyrtuar edhe më parë këtë çështje në vitet 2004 dhe 2011. Të dyja herët vendosi se ligjet sipas së cilave janë dënuar këta djem, përputhen me kushtetutën. Edhe Gjykata e Lartë, gjykata kryesore e apelit dhe e shkallës më të lartë, vendosi në vitin 2004 dhe përsëri në 2007-n se refuzimi për shkak të ndërgjegjes nuk është arsye e vlefshme për të mos bërë ushtrinë. Pavarësisht nga këto vendime të gjykatave të larta, zbatimi i këtij ligji mbetet çështje e pazgjidhur, madje edhe në gjykata.

Gjykatat e të gjitha shkallëve në Korenë e Jugut kanë treguar se i bren ndërgjegjja sa herë u duhet të dënojnë me burgim ata që nuk kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. Që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 2011, ajo vetë ka pranuar të shqyrtojë 7 raste të rekomanduara nga gjykatat e rrethit dhe 22 raste me kërkesë të individëve. Janë vënë në pikëpyetje edhe vendimet e Gjykatës së Lartë dhe mbi 40 çështje të tjera si këto kanë mbetur pezull në këtë gjykatë. Që nga maji i 2015-s gjykatat e shkallës së parë kanë dhënë nëntë vendime në favor të atyre që nuk pranojnë të bëjnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje.

Në tetor 2016, pasi vuri re sa të vështirë e kishin gjykatat e të gjitha shkallëve të merrnin një vendim, një gjykatë apeli u shpreh: «Nuk është parë kurrë një pështjellim i tillë në interpretimin dhe në zbatimin e një mase të vetme ligjore.» Në vendimin e parë të kësaj natyre, po kjo gjykatë shpalli të pafajshëm tre prej këtyre djemve. Ky vendim pozitiv u mirëprit nga Shoqata e Avokatëve të Seulit, e cila e quajti vendim «të shënuar». Kryetari kësaj shoqate, Han-kyu Kim, u shpreh se fjala e fundit tani i mbetet Gjykatës Kushtetuese.

«Nuk është parë kurrë një pështjellim i tillë në interpretimin dhe zbatimin e një mase të vetme ligjore.»—Gjykata e Krahinës Guanxhu, Departamenti Penal i Tretë, vendimi për Lak-hoon Cho më 18 tetor 2016

Një çështje e tejzgjatur në prag të zgjidhjes

Z. Kim tha më tej: «Publiku mezi pret vendimin pozitiv që do të marrë [Gjykata Kushtetuese] për këtë çështje. Ata që nuk pranojnë të kryejnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje, vuajnë ende dënime penale, pa pasur fare mundësinë e shërbimit alternativ. Gjykata Kushtetuese, bastioni i fundit i të drejtave të njeriut, është nxitur të japë vendimin e saj një orë e më parë.»

Gjatë 60 viteve të kaluara pothuajse çdo familje Dëshmitarësh të Jehovait në Korenë e Jugut është prekur nga kjo çështje. Baballarët, bijtë dhe vëllezërit e tyre u dënuan me burgim ngaqë nuk bënë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. Nëse vendimi do të jetë në favor të tyre, nuk do të burgosen më kot e nuk do të kenë më precedentë penalë, si dhe do të forcohet liria e ndërgjegjes dhe e fesë për të gjithë qytetarët.

Gjithë vëmendja tani është përqendruar te vendimi i ardhshëm historik i Gjykatës Kushtetuese.